Në takimin e Komitetit Emergjent për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan u bë e ditur se deri më 8 maj, kanë qenë 538 mostra prej të cilave me 51 kanë dalë pozitive, 47 raste janë shëruar plotësisht dhe dy janë ende në trajtim.
Kryetari Lutfi Haziri tha se Gjilanai e ka fituar luftën kundër pandemisë, por apeloi qytetarët që të vazhdojnë t’i zbatojnë rregullat e qarkullimit me masat mbrojtëse kundër Covid-19.
Në takim, Haziri ka folur për shembullin në nivel vendi për mësimin online, e më vonë edhe krijimin e mundësisë së mësimit online edhe për fëmijët 0 deri 6 vjet, furnizimin e nxënësve në nevojë me laptopë, për të vazhduar me shkollën e artit pamor, e organizimin e koncerteve.
“Ndërsa, në sektorin e ekonomisë në Gjilan ka filluar të hapet ndërmarrësia në bazë të rekomandimeve, derisa sot do të publikohen vendimet e reja për ushtrim të veprimtarisë së biznesit në Gjilan”, ka thënë Haziri, duke shtuar se i janë bërë krahë familjeve në nevojë, në këtë fazë, me anë të pakove ushqimore e higjienike.
Haziri e ka falënderuar edhe Këshillin e Bashkësisë Islame për koordinimin dhe bashkëpunimin, sikurse edhe të gjitha hallkat e shtabit emergjent për preventimin e përhapjes së Covid-19, teksa ka përmenduar se pandeminë e ka përcjellë edhe kronika e zezë.
“Pandemia na ka përcjellë, fatkeqësisht me kronikën e zezë që kulmoi me lajmin tronditës të humbjes së Agonit tonë, studentit të shkëlqyeshëm dhe familjarit të jashtëzakonshëm. E kemi dy humbje të jetëve nga Covid-19 dhe një bashkëqytetar nga Gjermania. E humbën në komunikacion edhe Debatik Huruglicën, ndërsa i urojmë shërim të shpejtë Hamdi Malokut”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/