Telegrafi

Haziri: Me dënime nuk përmirësohet cilësia e raportimit

Komisioni i përkohshëm për ndjekje të mediave shqiptoi mbi 30 dënime për televizionet të cilët nuk respektuan rregullat për raportim të balancuar gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Megjithatë, shumica e dënimeve u refuzuan nga gjykata. Gazetari nga Gostivari Lulzim Haziri, i cili është anëtari i pestë i trupit ad-hok, për TV21 u shpreh se refuzimin e dënimeve nga gjykatat, po minohet puna e këtij komisioni, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Komunikologu Petar Arsovski thotë se Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuele duhet të bëjë më shumë përpjekje për raportim të balancuar të mediave, tani që puna e trupit ad-hok përfundon.

“Është herët të jepet një vlerësim i plotë. Duhet të shohim se a do të kenë ndonjë përfundim iniciativat e trupit ad hok dhe a do të ketë vullnet politik për raportim të balancuar të mediave. Një trup ad-hok i këtillë formohet vetëm kur institucionet e rregullta nuk funksionojnë. Zgjidhje më e mirë do të ishte funksionimi në korniza të institucioneve të rregullta, si për shembull të Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele, Këshillit të nderit e kështu me radhë, pra të bëhen përpjekje që të përjashtohet raportimi eventual i pa balancuar i mediave”, u shpreh komunikologu Petar Arsovski për TV 21.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, me përfundimin e zgjedhjeve duhet të përfundojë edhe puna e trupit ad hok. Haziri thotë se mbetet vetëm të publikohet raporti i fundit për periudhën nga 1 dhjetori deri më 10 dhjetor, por edhe të presin që KSHZ t’i publikojë rezultatet përfundimtare para se trupi të shpërndahet./Telegrafi/