Telegrafi

Haziri i bën bashkë kryetarët e Anamoravës dhe ministren Bajrami

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka bërë bashkë sot kryetarët e komunave të regjionit të Anamoravës, në takim me ministren e Financave, Hykmete Bajrami.

Kreu i Gjilanit tha se takimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm, në të cilin u konfirmua angazhimi i ministres Bajrami për zhbllokimin e projekteve të mëdha komunitare.

“Faleminderit ministres Bajrami për vizitën dhe takimin së bashku me kryetarët e regjionit të Anamoravës, lidhur me dëgjimin buxhetor, të cilin po e përballojmë bashkë në kohë pandemie, duke e vlerësuar gjendjen aktuale të të hyrave në buxhetet komunale dhe buxhetin e shtetit, në mënyrë që të jemi të përgatitur që buxheti i vitit 2021 të dalë sa më mirë për komunat e Anamoravës”, tha Haziri.

Ndërsa, Ministrja e Financave, Hyjmete Bajrami, ka konfirmuar se do t’u qëndrojë afër komunave me të gjitha kapacitetet në zhvillimin e projekteve, meqë, siç tha, pandemia e ka bërë të veten.

Në këtë takim, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, kryetari i Kllokotit, Bozidar Dejanoviç, kryetari i Ranillugut, Vladica Aritonoviq, përfaqësuesi i Komunës së Novobërdes dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë per Zhvillim Rajonal Lindje, Agim Zeka.

Në fund, kryetarët e komunave të Anamoravës, gjatë adresimit para gazetarëve, kanë thënë se janë modeli më i mirë i funksionimit dhe i bashkëpunimit, në të mirë të të gjithë qytetarëve të kësaj zone.