Site icon Telegrafi

Haziri: 17 shkurti, hapi më i madh në histori drejt afrimit shqiptar në Ballkan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaroi sot se pavarësia e Kosovës, është një akt që shënon sublimimin e kërkesës qytetarëve për të jetuar të barabartë në këtë pjesë të botës dhe shënon hapin më të madh në histori drejt afrimit të shqiptarëve në Ballkan.

Ai këto komente i bëri ceremoninë e nderimit me titull “Qytetar Nderi” të tri personaliteteve të rëndësishme, profesorit Irakli Koqollari nga Shqipëria, afaristit Fehmi Fetahu si dhe veprimtarit Ilir Mustafa (pos mortum), në kuadër të shënimit të 11-vjetorit të pavarësisë së vendit.

“Republika jonë dhe unë si kryetar i qytetit të Gjilanit dhe nënshkrues i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, jemi të nderuar që sot mund të shohim se ku kemi arritur në këtë rrugëtim, 11 vjet pas pavarësisë, në funksionalizimin e kësaj republike dhe ndërtimin e një jete sa më të mirë”, tha Haziri.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ambasadori Minxhozi, i cili ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, por kjo nuk është një ditë e plotë, sepse mungojnë këtu dëshmorët dhe martirët e kombit, të cilët dhanë jetën e tyre për këtë liri.

“Kosova ka hedhur hapa të rëndësishëm deri këtu dhe duhet të ecën tutje në ndërtimin e shtetit dhe të së ardhmes sonë”, ka thënë ai.

Irakli Koqollari, Fehmi Fetahu dhe Arben Mustafa (i biri i Ilir Mustafës), janë falënderuar veç e veç për nderimin që Komuna e Gjilanit u ka bërë atyre duke ua ndarë çmimin më të lartë “Qytetar Nderi”.

Profesor Irakli Koqollari ka thënë se personalisht është munduar të bëjë diçka për lirinë e Kosovës, por sipas tij, meritat për fitoren ju takojnë të rinjve, atyre që guxuan të ngritën për lirinë e vendit të tyre.

Exit mobile version