Telegrafi

Haziri: 13 parti janë formuar nga ata që e kanë lëshuar LDK-në

Para 32 viteve në Kosovë lindi partia e parë politike pluraliste që u emërua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Nënkryetari aktual i kësaj partie, Lutfi Haziri thotë në “Debat Plus” se qysh në dekadën e parë nga kjo parti u larguan shumë prej themeluesve të saj.

“Partia Fshatare, Partia Socialdemokrate më pas. Ukshin Hoti më pas themeloi UNIKOMBIN si alternativë ndaj LDK-së që ishte poashtu ndër kuadrot e para të LDK-së, deri te ndarja ideologjike e partisë nga ata që njiheshin si të burgosurit politikë”.

Haziri thotë se partia megjithatë pas luftës u përballë me reforma të reja, ribrendim e rithemelim.

“Pas lufte LDK ishte si parti e paorganizuar dhe shkapërderdhur totalisht. Kryengritja e armatosur e kishte shuar LDK-në si nevojë të kohës. Deri në zgjedhjet e para lokale LDK ishte një parti që e kishte bluar koha për 18 muaj të luftës në Kosovë”.

Ai thotë se reformatimi i pasluftës ishte proces i dhimbshëm për LDK-në.

“U largua Milazim Krasniqi dhe një pjesë e intelektualëve nga LDK. Deri më tani 13 parti politike janë themelue nga daljet nga LDK”, deklaroi tutje Haziri./Telegrafi/