Site icon Telegrafi

Hayward e harron lëndimin: Jam gati të luaj

Gordon Hayward është gati të bëjë rikthimin e tij në parketet e NBA.

Anësori i Boston Celtics, u dëmtua rëndë tek kavilja e majta në ndeshjen e parë të sezonit të kaluar, duke mos mundur të luajë të gjithë kampionatin.

Gjithsesi, ai ndihet më së miri për sezonin e ri e për të ndihmuar Celtics të arrijnë objektivat e këtij sezoni:

“Do të jem në 100% tim për fillimin e sezonit, jam i sigurt. Dëmtimi është pjesë e së shkuarës, nuk kam dashur kurrë ta shoh videon dhe nuk do ta bëj asnjëherë. Është një kapitull i mbyllur.”

Niveli i optimizmit për tifozët e Boston është ngritur akoma më shumë, kur ata kanë parë Hayward duke ecur normalisht në qendrën stërvitore Auerbach Center, me fanellën e tij me numrin 20, shkruan Supersport.

Lojtari deklaroi se është rikthyer të luajë në një lojë 5 kundër 5, vetëm para dy javësh:

“Janë situata që kërkojnë kohë, tani për tani ndihem shumë mirë. Nuk luaj prej rreth një viti, tani do të kërkoj të fitoj pak shpejtësi në lëvizje. Mezi po pres të luaj sërish me shokët e skuadrës, më mungon gjithçka nga basketbolli.”

Kampi stërvitor për Boston Celtics do të fillojë më 26 shtator, ndërkohë që ndeshja hapëse për sezonin e ri, do të jetë kundër Philadelphia 76ers më 16 tetor.

Exit mobile version