Telegrafi

Haxhiu i PDK-së: MSH qëllimisht po e ul numrin e testimeve për të paraqitur rrejshëm rënien e rasteve me COVID-19

Foto: Arkiv

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka hedhur akuza ndaj Ministrisë së Shëndetësisë se po e ul me qëllim numrin e testimeve për COVID-19.

Ai thotë se kjo po bëhet për të paraqitur rrejshëm rënien e rasteve me COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë po zvogëlon numrin e testimeve qëllimisht për të paraqitur rrejshëm rënien e numrit të rasteve me COVID-19. Nëse MSH-ja dëshiron rrejshëm me zvogëlu numrin e rasteve, munden me i ba vetëm 50-60 teste qysh i kanë bërë një vit me parë dhe ju dalin vetëm nga 5-6 raste pozitive”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tutje ka argumentuar kritikën me numrin e testimeve që janë kryer ditën e premte krahasuar me ditën e shtunë.

“Nga 5.502 teste sa u bënë dy ditë më parë, sot janë bërë 4.351 teste RT-PCR, apo 1.151 më pak teste”, shkroi ndër të tjera Haxhiu.

Më tej Haxhiu bëri thirrje që Ministria e Shëndetësisë të mos ndërhyjë në punën e IKSHPK-së, ndërsa shtoi se pandemia mposhtet duke rritur numrin e të vaksinuarve, e jo duke zvogëluar numrin e testimeve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të shtunën se janë regjistruar edhe nëntë viktima dhe 571 raste të reja me coronavirus.

Ndërkaq, që prej 13 marsit, 2020 e deri më 10 prill, 2021, Kosova ka regjistruar 97.467 raste me koronavirus, 1.976 viktima dhe 81.561 të shënuar.