Telegrafi

Haxhiu: Abdixhikut i intereson gara për Prishtinën, lokacioni i stadiumit ndryshohet vetëm nëse shkelet ligji

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se ideja për zhvendosjen e stadiumit nga Drenasi në Bërnicë u bë për shkaqe elektorale në LDK.

Haxhiu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se deklarata e Lumir Abdixhikut është pjesë e garës së brendshme të LDK-së për të marrë kandidaturën për kryetarë të Prishtinës.

Ai ka thënë se vet zyrtarët tjerë të LDK-së kanë thënë se nuk ka pasur marrëveshje për ndryshim lokacioni, përcjell Telegrafi.

Deputeti i zgjedhur i PDK-së ka shtuar më tej se tema e stadiumit është hedhur qëllimisht nga LDK dhe Vetëvendosje për t’iu ikur problemeve që kanë mes vetë për ndërtimin e lokacionit.

Haxhiu ka thënë se lokacioni i stadiumit mund të ndryshohet vetëm duke bërë shkelje ligjore pasi sipas tij tashmë është marrë një vendim qeverie duke u marrë parasysh të gjitha aspektet.

“Bërnica ka pasur disa probleme me pronat…Një pjesë e pronës ka qenë shoqërore e që është dashur të kalojë nëpërmes AKP-së e pjesa tjetër është pronë private”.

Haxhiu ka thënë se ka zyrtarë partiak që kanë prona në Bërnicë e që dëshirojnë ta zhvendosin stadiumin./Telegrafi/