Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, deklaroi të enjten se sektori i shëndetësisë në vend është buzë kolapsit.
Ai në seancën e Kuvendit, tha se listat e pritjes për operacione janë rritur skajshmërisht, ndërsa shtoi se çdo ditë dështojnë 15-20 operacione në mungesë të anesteziologëve.
Madje, sipas tij, mjekët janë duke u përballur edhe me presion “nga drejtorët politikë të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje që me vendim ua ndalojnë mjekëve hyrjen në sallat e operacioneve”.
“Sektori i shëndetësisë është duke u keqpërdorur e keqmenaxhuar. Auditori ka gjetur mbi 12 milionë euro hajni në vitin 2021. Qeveria po mbron të korruptuarit e nuk jep llogari. 2.2 milionë euro janë investuar në sallat e operacionit në ortopedi e këto salla janë mbyllur nga inspektorati sanitar për shkak të kushteve. A ka më papërgjegjësi?”, u shpreh ai.
“Kemi ikje të mjekëve çdo ditë dhe s’ka asnjë lëvizje për t’i rritur pagat në shëndetësi. FMN i bën thirrje qeverisë për t’i rritur pagat e këta mrizojnë. Derisa shëndetësinë çdo ditë po e shkatërrojnë. Dëmet do të jenë të parikuperueshme me vite”.
Haxhiu gjithashtu përmendi faktin se Ministria e Shëndetësisë është pa ministër e Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës pa drejtor, duke thënë se kjo është papërgjegjësi e qeverisë.
“Dy pozitat kyçe në shëndetësi janë me ushtrues detyre. Kjo tregon papërgjegjësinë e qeverisë në sektorin e shëndetësisë”. /Telegrafi/