Site icon Telegrafi

Haxhinasto: Qeveria e angazhuar të realizojë të gjitha detyrimet

Haxhinasto vlerësoi qëndrimin dhe përkujdesjen e partnerëve ndërkombëtarë, të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar dhe tha se është shumë e rëndësishme t`i referohemi një konstatimi të tyre, tashmë të qartë, se dhuna është e palejueshme të përdoret si mjet për të arritur qëllimet politike.

"Dëshiroj t`ju siguroj se qeveria është duke reflektuar. Ajo ka shprehur vullnetin për të krijuar të gjitha mundësitë për realizimin e një hetimi ndërkombëtar për atë çfarë ka ndodhur. Gjithashtu, ajo ka reaguar, duke anuluar edhe mitingun e saj paqësor dhe kundër dhunës të ditës së shtunë”, tha Haxhinasto.

Zëvendëskryeministri nënvizoi se qeveria është e angazhuar të realizojë të gjitha detyrimet e saj për kthimin në normalitet të aktivitetit të institucioneve, dhe se tashmë po përfundon plani i punës për realizimin e 12 prioriteteve të Opinionit të Bashkimit Evropian.

Këto prioritete janë të domosdoshme që Shqipëria të vazhdojë në procesin e saj të integrimit me qëllim që papërgjegjshmëria politike e shoqëruar me mjete të dhunës të mos pengojnë dhe të mos vonojnë procesin e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version