Site icon Telegrafi

Haxhinasto: Institucionet nuk mund të merren me dhunë

Haxhinasto theksoi se kjo demonstratë e thirrur nga Partia Socialiste kaloi në dhunë, sipas skenarit të paralajmëruar, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për një demonstrim paqësor dhe duke respektuar institucionet kushtetuese.

Ministri vlerësoi qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar para, gjatë dhe pas protestave të dhunshme, duke shprehur falënderime të veçanta për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për OSBE-në, BE-në, dhe vende të tjera mike.

Ai theksoi se partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për aktivitetet që ato organizojnë dhe t’i udhëheqin ato deri në fund. Haxhinasto theksoi se në Shqipëri institucionet nuk mund të merren me dhunë, sepse ekzistojnë dhe janë funksionale të gjitha hapësirat dhe institucionet e nevojshme demokratike për të adresuar çdo problem politik.

Ministri i Jashtëm theksoi se hetimi i plotë dhe i shpejtë i ngjarjeve të të premtes, është e vetmja mënyrë për të zbardhur se çfarë ka ndodhur vërtetë.

Haxhinasto i siguroi përfaqësuesit e huaj se institucionet e vendit dhe rendi kushtetues do të ruhen dhe qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë më tej me agjendën integruese dhe për zhvillimin e prosperitetin ekonomik të vendit, si dhe me agjendën e saj rajonale e ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version