Telegrafi

Haxhi Merxha e do Thaçin pa interes

Vitet e gjata si punëtor i tekstilit kanë ndikuar që të duket pedant, edhe me moshën që e ka, gati 79 vjeç.

Në fillim paraqitet më serioz, por kah mesi i bisedës shakatë janë të paevitueshme nga ky politikan i njohur por që vitet e fundit nuk është parë shpesh në media pasi nuk është deputet i legjislaturës së fundit.

Aktualisht Haxhi Merxha është Ambasador i Paqes për Kosovë, Ballkan dhe Europë dhe kryetar, siç thotë, i përjetshëm i Partisë së Romëve të Bashkuar.

“Si parti e vetme për romët në Kosovë, kemi bërë shumë. I kam 35 studentë që marrin edhe bursa në fakultete. Kam punësuar të rinj nga Fushë Kosova, Prizreni”, thotë Merxha, shkruan JNK.

Ai thotë se partia që udhëheq nuk është e madhe, por, sipas tij, përpiqet për të ndihmuar. “Sa e kemi jorganin, aq i shtrijmë këmbët”.

Haxhi Zylfi Merxha, ish-deputet i parlamentit të Kosovës, është i lumtur që jeton në Kosovë dhe mendon se Kosova është vendi model ku respektohen të drejtat e pakicave, më mirë se në Europë e Amerikë.

“Kam qenë tri herë në Amerikë, e kam pa atje qysh shkon jeta, ata janë shumë prapa nesh sa i përket të drejtave të pakicave”, thotë ai.

Jeta e tij, prej kur i përfundoi mandati si deputet ka ndryshuar. Ishte deputet në tri mandate legjislative dhe shpesh ishte kapur nga kamerat televizive duke fjetur në seancë parlamentare.

Tash punon më pak, por si kryetar partie që është, vijnë dhe e informojnë për zhvillimet në politikë.

Ndaj kryeministrit të Kosovës ka një simpati të veçantë, dhe mjaftë besnike. “Thaçin e kam lavdëruar, edhe prapë e lëvdoj sepse Thaçi vërtet e bënë punën e vet. Pse s’ka mundur ta ketë në qeveri edhe një rom nuk them që ai s’na do, por nuk ka mundësi”, thotë Merxha.

“Një herë jam nënshkruar para 12 vjetëve, edhe s’kam mendjen të lëvizë më, edhe këtë vit jam prapë në koalicion me të”, thotë ai.

Ndërsa mendon se Vetëvendosje është një grup që po ia prish imazhin Kosovës. “Në zyrën tonë ka shumë fotografi të Albinit me Adem Demaçin. Ata kanë qenë gjithmonë mysafirët e mi, mirëpo tash nuk më pëlqejnë gjestet që i bënë Albini (protestat)”. /Telegrafi/