Boksieri i njohur shqiptar Haxhi Robin Krasniqi ka deklaruar se është gati për të triumfuar në meçin për titujt WBA dhe WBO Intercontinental në kategorinë super të mesme.
Krasniqi do të përballet të premten me Jurgen Dobersteinin dhe në konferencën e fundit për media, të dy janë shprehur optimistë për meçin. Më këta tituj Krasniqi shpreson që të fitojë mundësinë për të luftuar më pas për titullin e botës.
“Jurgen Doberstein është puna ime të premten dhe e dimë si ta mposhtim. Kam ushtruar në Amerikë dhe Kanada edhe para sparingut, në bjeshkët e Bavarisë me trajnerin Sepp Maurer. Jam gati në peshë dhe një “Doberman” (nofka e Dobersteinit) nuk mund të më ndalë në rrugën time drejt titullit të botës”, ka thënë Krasniqi, ndërsa “Dobermani” ka deklaruar e dëshiron titullin me çdo kusht dhe synon vetëm fitoren ndaj Robin Krasniqit.
Krasniqi që tani renditet i pesti në kategorinë super të mesme ka 45 fitore dhe katër humbje, ndërsa “Dobermani” ka 20 fitore 2 humbje dhe 1 barazim.