Nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 185-të me radhë.
Në fillim të këtij takimi prokurorja Laura Pula si anëtare e Komisionit mbikëqyrës ka raportuar për 6 mujorin e parë të vitit 2020, për zbatimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, ndërsa, Koordinatori Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu ka raportuar për periudhën prill – qershor 2020, për aktivitetet dhe rekomandimet e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, raporte të cilat edhe janë miratuar nga KPK-ja.
Me tej, anëtarët e KPK-së kanë shqyrtuar dhe miratuar Rregulloren për protokollimin, administrimin dhe arkivimin e dokumenteve në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Takimi ka vazhduar me raportimet e kryesuesve të komisioneve të përhershme të KPK-së, për punën e komisioneve që ata udhëheqin.
Pas skadimit të mandatit të Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, anëtarët e KPK-së caktuan të njëjtin ushtrues të detyrës, deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të kësaj prokurorie.
Në këtë takim janë mbajtur seanca dëgjimore për dy raste disiplinore ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe janë marrë vendimet përkatëse e të cilat do të bëhen publike pasi që të bëhen përfundimtare, ashtu siç është e përcaktuar me ligj.