Institucionet e rajonit të Ballkanit që janë kompetente për organizimin e kryerjes së kushtit të pestë të Islamit, Haxhit, tashmë kanë filluar përgatitjet, ndërsa regjistrimet e haxhinjve janë duke vazhduar edhe më tej. Nisja e besimtarëve muslimanë për në haxh nga rajoni do të bëhet gjatë muajit të ardhshëm.
Sipas të dhënave të Anadolu Agency (AA) të siguruara nga institucionet kompetente fetare të vendeve të rajonit, për kryerjen e këtij kushti të Islamit haxhinjtë do të paguajnë një shumë më të lartë të parave krahasuar me vitin e kaluar. Sipas arsyetimeve të bashkësive fetare të vendeve të rajonit, rritja e çmimit për kryerjen e haxhit vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në Arabinë Saudite.
Shumën më të lartë për shkuarjen në haxh do ta paguajnë besimtarët nga Bosnjë e Hercegovina (4.200 euro) dhe Maqedonia (4.100 euro), ndërsa besimtarët nga Shqipëria do të paguajnë çmimin më të ulët prej 3.500 euro.
Nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) për AA bëjnë të ditur se për shkuarjen në haxh sivjet haxhinjtë e vendit do të paguajnë nga 4.100 euro, çmim i cili vitin e kaluar ishte 3.900 dollarë (rreth 3.380 euro), që do të thotë se kryerja e haxhit këtë vit do të jetë rreth 720 euro më i shtrenjtë se vitin e kaluar.
“Kushtet më të avancuara hotelierike, udhëtimet më të sigurta dhe më komode, rritja e çmimit të taksave të ndryshme dhe të qëndrimit në çadrat e Arafatit, diktojnë një çmim paksa më të lartë se sa që ishte në vitin 2017”, theksuan nga BFI-ja.
BFI bën të ditur se regjistrimi i haxhinjve është duke vazhduar, ndërsa nisja do të bëhet më 9 dhe 10 gusht të këtij viti. Këtë vit pritet që numri i haxhinjve të arrijë në 1.000, ndërsa vitin e kaluar ishin 840 haxhinj.
Sipas të dhënave të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, tarifa për Haxhin për vitin 2018 është 3.500 euro. Ndërsa çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët muslimanë nga Shqipëria për vitin 2017 ishte 3.000 euro, që do të thotë se këtë vit haxhinjtë do të paguajnë 500 euro më shumë.
Regjistrimet për shkuarje në haxh në këtë vend vazhdojnë deri më 26 qershor 2018 dhe do të ketë një shtyrje të afatit.
Nga Drejtoria e Haxhit dhe Umres pranë Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për AA njoftojnë se çmimi për këtë vit për haxhinj është 3.800 euro. Ky çmim ka dallim prej viteve të kaluara, duke shënuar rritje prej 400 eurosh në krahasim me vitin e kaluar, kur çmimi ishte 3.400 euro.
“Arsyeja e rritjes së çmimeve është se çmimet në Arabinë Saudite janë rritur dhe për herë të parë e kanë shtuar edhe TVSH-në dhe taksat në Arabinë Saudite, gjë që nuk ka ekzistuar përpara”, njofton Drejtoria e Haxhit dhe Umres pranë BIK-ut.