Telegrafi

Haxha merr 10.453 euro si pagë të tetorit

Sipas disa dokumenteve të siguruara nga gazeta “Zëri”, në emër të pagës së tetor PTK-ja i ka transferuara në xhirollogarinë e dr. Haxhës hiç më pak se 10.453 euro para të gatshme.

Kjo e bën Haxhën menaxherin më të paguar në vend, pagë të cilën nuk arrijnë ta marrin jo vetëm vendorët, mirëpo një pagë e tillë është vështirë e arritshme edhe për menaxherët ndërkombëtarë të angazhuar në Kosovë. Këto të ardhura vetëm për muajin tetor janë dukshëm më të larta sesa që e ka deklaruar Haxha në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, kur ka deklaruar pasurinë.

Haxha për Agjencinë Kundër Korrupsion sivjet ka deklaruar 4454 euro pagë mujore dhe 40 mijë funte para të gatshme nga një bankë e Mbretërisë së Bashkuar.

Zyrtarët e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) nuk e mohojnë që kryeshefi, Shyqri Haxha t’i ketë marrë 10.453 euro në muajin e kaluar, mirëpo, kjo, sipas tyre, nuk është paga reale e tij. Pagat e larta të menaxherëve të ndërmarrjeve publike nuk po mbesin pa u kritikuar edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Ekonomi në Kuvend, Myzejene Selmani, thotë se nuk mund të thuhet se menaxherët e kompanive publike në Kosovë marrin paga reale, pasi që, ata paguhen shumë më shumë sesa që është kontributi i tyre në këto kompani.

Ajo pohon se edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, merr pagë të lartë, pavarësisht se udhëheq një kompani profitabile.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, Haki Shatri, thotë se një menaxher i mirë do të duhej të ishte paguar me një pagë shumë atraktive, ndërsa kjo nuk do të duhej të ndodhte edhe me një menaxher që e shkatërron kompaninë.

Menduh Abazi, zëdhënës i PTK-së, thotë për “Zërin” se paga reale e Haxhës është ajo që e ka deklaruar ai në AKK, e jo paga e fundit. “Kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, i ka marrë 10.453 euro në tetor si pasojë e disa gabimeve që janë bërë në pagën e tij në muajt mars dhe prill 2010, kur iu kishte transferuar më pak pagë.

Prandaj, në muajin tetor është bërë korrigjimi i atij gabimi dhe i kanë dalë në llogari aq para, e cila nuk paraqet edhe pagën reale”, shprehet Abazi. Sipas tij, paga reale e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së është ajo që e ka deklaruar në Agjencinë Anti-Korrupsion, përkatësisht 4454 euro, e jo 10.453 euro. /Zëri/Telegrafi/