Shefi i Kabinetit dhe këshilltari për ekonomi i Kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli tha se kryeministri gjatë gjithë javës së kaluar ka pasur komunikim dhe njoftim të vazhdueshëm të partnerëve dhe të faktorit ndërkombëtar në Kosovë lidhur me hapat që do të ndërmerren në rast të tentativës së hyrjes së trenit serb, ashtu siç është paralajmëruar.
Havolli tha se paralajmërimet e Kryeministrit ndaj partnerëve tanë kanë qenë të vazhdueshme se nuk do të lejohet të hyjë një tren i tillë edhe nuk do të lejohet të realizohet një provokim i tillë.
Havolli ka thënë se kritikat që iu bënë Qeverisë kinse për vendime të vonshme, nuk janë të sakta.
“Nuk mund të ndahen informacione sensitive me publikun. Nuk kanë mundur ta dinë më shumë se pesë persona për këtë aksion në gjithë shtetin”, ka deklaruar ai.
Ai tha se dihet botërisht se qëllimi i atij treni nuk ka qenë transportimi i ndonjë udhëtari po të bëhet një provokim tipik nacionalist i shekujve të kaluar i një mentaliteti të kaluar i një menataliteti luftënxitës të cilin Kosova nuk e përkrahë dhe nuk e kultivon atë mentalitet. /21Media/