Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli pas takimit që pati me ushtruesin e deytyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi për shtesat e infermierëve ka thënë se janë dakorduar që sot të dërgojnë listën me përmirësime në Ministrinë e Shëndetësisë.
Havolli tha se pas dërgimit të kësaj liste në MSH, ata presin që vendimi të ekzekutohet nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat e tyre.
“Pas takimit që patëm me drejtorin e ShSKUK-së, ku bashk u dakorduam dhe u pajtuam që të përfundojmë listën sot pas orës 12:00 dhe të përcillet drejt Ministrisë së Shëndetësisë me përmirësime, ashtu siç e kanë kërkuar, dhe të ekzekutohet ky vendim sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, dhe punëtorët të marrin pagat sipas këtij vendimi. Faktikisht të gjithë infermierët e ShSKUK-së të paguhen me listën që e kanë kërkuar dhe të ekzekutohet nga ana e qeverisë”, ka thënë Havolli.
Ndërsa, në një njoftim përmes rrjetit social në Facebook nga SHSKUK thuhet se pas takimit u.d Krasniqi me drejtuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës kanë biseduar për punën e infermierëve, me theks të veçantë angazhimin e infermierëve gjatë kohës së Pandemisë së COVID-19.
“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka pritur në takim pune drejtuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës. Në takim është biseduar në lidhje punën e infermierëve, me theks të veçantë angazhimin e infermierëve gjatë kohës së Pandemisë së COVID-19. Po ashtu, u bisedua në lidhje zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesat prej 300 euro për infermierët. Ai ka falënderuar sindikalistët dhe të gjithë infermierët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe punën profesionale që po bëjnë me pacientët në përgjithësi, e sidomos me trajtimin e rasteve me COVID”, thuhet në njoftim.
Në njoftim po ashtu thuhet se duke folur për zbatimin e Vendimit të Qeverisë për shtesat në pagë, drejtori Krasniqi, ka siguruar sindikalistët e infermierisë se zbatimin e vendimit do të bëhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Në anën tjetër, drejtuesit e Sindikatës së Infermierisë, kanë falënderuar drejtorin për takimin dhe angazhimet e vazhdueshme për të siguruar mirëqenie dhe kushte më të mira për infermierët. Gjatë takimit, drejtuesit e Sindikatës u pajtuan dhe u bindën se ekziston vullnet dhe angazhim konkret nga ShSKUK, për tejkalim të situatës në lidhje me shtesat për muajin korrik dhe gusht për infermierët”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/