Site icon Telegrafi

Havolli: Në luftën kundër korrupsionit, prioritet themelor mbetet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020”, kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe në përbërje të kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj dhe kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë mbajtur sot takimin e radhës.

Sipas njoftimit për media, tema të diskutimit të këtij takimi ishin zbatimi i masave të “Drejtësia 2020” që ndërlidhen me të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2019, si dhe ato që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Mbrojtjes së Sinjalizuesve.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka informuar Bordin për progresin e arritur në hartimin e akteve nënligjore nga këto dy ligje.

“Tashmë secili institucion ka caktuar një zyrtar përgjegjës për sinjalizim, në mënyrë që të parandalohen nga brenda abuzimet e mundshme me paranë publike. Në luftën kundër korrupsionit, prioritet themelor mbetet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Havolli.

Ndërsa ministri Tahiri ka njoftuar Bordin se së shpejti nisin procedurat e themelimit të Fondit të Konfiskimit, i cili do mbushet nga shtija e aseteve të fituara me vepër penale, dhe i cili do të shkojë në dobi të rritjes së kapaciteteve të organeve të zbatimit të ligjit dhe kompensimit të viktimave të krimit.

Në takim, është diskutuar edhe për nevojën e një koordinimi më të qartë në mes të hierarkisë së institucioneve që merren me hetimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që secili institucion të ushtrojë kompetencat e tij të plota.

Në takim përfaqësues nga Ambasada Amerikane, EULEX-i dhe Zyra e Bashkimit Evropian./Telegrafi/

Exit mobile version