Telegrafi

Havolli: Mustafa shkarkoi dy ministra serbë, Haradinaj nuk mundet një

Anëtari i LDK-së dhe ish shefi i Kabinetit të Kyeministrit, Sokol Havolli ka thënë se Qeveria Haradinaj është e brishtë.

“Nga Qeveria Mustafa, janë shkarkuar dy ministra serbë, Jabllanoviq dhe Mariq dhe në asnjë situatë nuk është rrezikuar funksionimi i qeverisë në kontekst të numrave. Kurse tash kemi ministrin Rikalo, që është vështirë të shkarkohet”, ka thënë Havolli në Ora e Fundit të Klan Kosova.

“Ka pas raste edhe kur ju është tërhequr vërejtje ministrave nga cila do parti. Sot do ta kishim të shkarkuar edhe ministrin Rikalo por nuk guxojnë pasi që nuk kanë numra”, ka deklaruar ai.

Më tej ai ka thënë se Mustafa është duke funksionuar normalisht edhe pas largimit nga qeveria, të cilën ai e ka quajtur funksionim të demokracisë.

“Kryetari i LDK-së dhe gjithë LDK e kupton funksionimin e demokracisë, rregull që ua ka mësuar LDK edhe partive të tjera”, ka pohuar ai.

Havolli ka thënë se qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa është përballur me dhunë e gaz në fillet e saja.

“Qeveria jonë është ballafaquar edhe më dhunë, ku kanë marrë pjesë edhe partia që sot udhëheq zyrën e Kryeministrit”, ka thënë ai .

Havolli ka përmendur edhe rastin e Hadës dhe Shipitullës, që ka thënë se Haradinaj vetëm ka vazhduar punën e lënë gjysmë nga Mustafa.

“Në muajt e fundit kemi bërë zgjidhje për tetë shtëpitë, është një kontinuitet i punës me një shou më të madh të qeverisë së re. Është çështje që do të zgjidhej nga secila do qeveri që do të vinte”, ka pohuar ai.

Kurse për shkarkimin e Komisionit të Demarkacionit ka thënë se është ndërmarr një veprim ndaj një komisioni që ka kryer punën dy vjet më parë dhe tash ka qenë pa funksion.

“Këto janë veprime populiste që marrin vëmendje më shumë”, ka deklaruar Havolli.