Janë 78 raste të konfirmuara deri më tani me COVID-19 në komunën e Prizrenit.
Nga 27 testimet e djeshme në këtë komunë, tre persona kanë rezultuar me coronavirus. Ndërkohë, mbrëmë është shfuqizuar vendimi për karantinimin e Prizrenit, meqë Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur jokushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Për këtë, Mytaher Haskuka që udhëheq Prizrenin, thotë se ekspertët do të shikojnë mundësinë nëse do të jetë nevoja që të vazhdohet kjo masë, megjithatë sipas tij, masat tjera të cilat janë në fuqi duhet të respektohen në përpikëri në mënyrë që të mos ketë hyrje-dalje pa nevojë.
Haskuka për KP, thotë se janë edhe rreth 60 familje të cilat janë duke qëndruar në vetizolim.
“Kemi edhe një numër të shëruarve, diku rreth 17, diku në total raste aktive duhet të jenë rreth 58 raste me COVID-19… Kjo rritje që ka ndodhur kohëve të fundit në Prizren ka qenë nga reparti i hemodializës shumica e stafit mjekësor dhe pacientëve. Ky sektor ka dhënë shërbime diku rreth 200 pacientëve të rajonit të Prizrenit, prej Malishevës deri në Dragash, në Rahovec e Suharekë. Dhe një pjesë e tyre tani, të gjithë ata është kërkuar që të jenë në izolim, po ashtu edhe familjet e tyre. Por, në të njëjtën kohë kemi edhe stafin mjekësor dhe familjet e tyre të cilët janë izolim. Mund të themi që diku rreth 50-60 familje duhet të jenë në izolim”, thotë Haskuka.
I pari kësaj komune, thotë se janë katër të infektuar të Prizrenit të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive, por që janë në gjendje stabile.
Haskuka thotë se për të gjitha rastet me virus të konfirmuara deri më tani burimi dihet.
“Kanë qenë prapë diku 20, po shpresoj që ky numër dje është rritur më shumë, ngase varësisht prej kërkesave nga vendet tjera, pastaj mund të rritet numri apo të zvogëlohet. Unë dua të falënderojë IKShP-në dhe Drejtorinë e Shëndetësisë të komunës, të cilat janë marrë me gjurmimet e rasteve. Dhe me një aspekt edhe pse kemi rritje është mirë ngase po identifikojmë të gjitha rastet, të cilët kanë pasur kontakte dhe në mënyrë profesionale po shkohet edhe drejt identifikimit të personave të fundit të cilët kanë qenë në kontakt me personat e infektuar”, shton Haskuka.
Mbrëmë është shfuqizuar vendimi për karantinimin e Prizrenit, kësisoj, ky qytet ka dalur nga zona e karantinës.Kjo pasi, Gjykata Kushtetuese një ditë më herët e ka shpallur jo kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, më konkretisht të ministrit në detyrë Arben Vitia, që shpalli këtë komunë “zonë karantinë”.
Haskuka thotë se duhet të respektohen masat tjera të cilat janë në fuqi, në mënyrë që të mos ketë fluks të madh të qytetarëve që vijnë nga komunat tjera në Prizren.
“Gjykata Kushtetuese ka shikuar procesin procedural dhe terminologjik. Për disa qytete tjera të cilat janë në karantinë MSh ka thënë që ndalohen hyrje-daljet edhe në terminologji nuk e ka quajtur karantinë, edhe në ato komuna karantina vazhdon. Ndërsa, në komunën e Prizrenit dhe Suharekës për shkak se në aspektin terminologjik për shkak të punëve që ka MSH kanë bërë këtë gabim. Dhe Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të shfuqizohet vendimi. Sidoqoftë derisa janë këto masa 1 orë e 30 minuta, ose tri orë lëvizje unë mendoj që nuk do të kemi fluks të madh të qytetarëve që vijnë nga komunat tjera në Prizren”, deklaron ai.
Mytaher Haskuka thekson se nuk mund të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për karantinë në komunën që ai udhëheq, megjithatë sipas tij, ministri Arben Vitia me ekspertët do të shikojë nëse duhet të vazhdohet masa e karantinimit për Prizrenin.