Telegrafi

Haskuka: Prizrenit i është shkulur kalldrëmi

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga VV, Mytaher Haskuka, në tubimin hapës në Prizren tha para qytetarëve se dikur Prizreni i ka bashkuar mendjet e ndritura për t’i dhënë drejtim dhe drejtësi kombit.

“Sot prapë jemi bashkuar me mendje dhe me zemër për ta kthyer shpresën, për ta bërë ndryshimin, të bashkuar me lëvizjen, për ta kthyer Republikën publikes, pra për ta kthyer Republikën qytetarëve të saj”, tha Mytaher Haskuka, përcjell Vetëvendosje.

“Ndryshimi do të ndodhë, ngase tani gjithë e kenë të qartë që janë dy opsione: është Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera. Të tjerët janë ndryshimi në emra, ndërsa Vetëvendosje është ndryshimi në thelb. Prandaj, me 22 Tetor qytetarët do të votojnë për ndryshmet në thelb”, shtoi tutje ai.

Më tej, Mytaher Haskuka tha se Prizrenit i është shkulur kalldrëmi, i janë shembur dhe shkatërruar monumentet historike, i është shkelur kultura dhe arsimi, Prizrenit çdo ditë e më tepër po i shkatërrohet shpirti historik. E 22 tetorin e quajti fund të kësaj.

“Do të punojmë derë me derë dhe me zemër do të fitojmë me datën 22 tetor”, ishin fjalët përmbyllëse të tij në këtë tubim.