Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka reaguar për heqjen e flamurit turk dhe lajmit të publikuar me media.
Haskuka përmes një postimi në facebook, ka thënë se “incidenti i heqjes së njërit prej këtyre flamujve, është dashakeq dhe nuk i paraqet vlerat e Komunës sonë”.
Postimi i plotë i Haskukës:
“Papërgjegjësia e portaleve të porositura për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes
Për festën e pavarësisë, si edhe viteve të kaluara, Komuna e Prizrenit është stolisur me flamuj shtetërorë e kombëtarë. Sipas traditës, të cilën unë vetëm se e kam vazhduar, mes flamujve të vendosur ka edhe flamuj të vendeve mike, të vendeve që kanë intervenuar në vitin 1999 në çlirimin e Kosovës dhe kanë avokuar për pavarësinë e saj. Me këtë rast janë vendosur flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Turqisë, Britanisë dhe flamuj të Bashkimit Evropian.
Incidenti, duke e hequr njërit prej këtyre flamujve, është dashakeq dhe nuk i paraqet vlerat e Komunës sonë. Pa dashur ta amnistojë qytetarin për këtë veprim, mendoj se fajin më të madh e ka portali, i cili ditë më parë qëllimisht e ka dezinformuar opinionin me lajm të rrejshëm, duke e nxjerrë një foto prej kontekstit, ka shkaktuar përçarje dhe urrejtje në opinion.
Si pasojë e papërgjegjësisë së këtij portali, u krijua një incident me një vend mik siç është Turqia. Prandaj, ftoj organet e rendit ta hetojnë rastin si dhe t’i dënojnë portalet e tilla që shpifin dhe nxisin urrejtje. Perspektiva e Prizrenit dhe e Kosovës është në krijimin e miqësive dhe jo në përçarje. Ata që bëjnë akte të tilla Kosovën dhe shqiptarët i duan të izoluar dhe të përçarë” (sic.), ka shkruar Haskuka. /Telegrafi/