Site icon Telegrafi

Haskuka: Breshëri ka shkaktuar dëme të mëdha

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se breshëri ka shkaktuar dëme të mëdha në komunën që ai udhëheq.

Haskuka ka thënë se dëmet më të mëdha janë në rajonin e Anadrinisë dhe fshatrat përreth.

“Breshëri dhe reshjet e shumta që kishim këto ditë, kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të mëdha në rajonin e Anadrinisë dhe fshatrat përreth. Nga këto fatkeqësi natyrore fatmirësisht nuk kemi pasoja tek njerëzit, mirëpo dëmet janë serioze nëpër shtëpi dhe sidomos në kulturat e ndryshme bujqësore që janë shkatërruar tërësisht, duke ditur që rajoni i Anadrinisë është i njohur për zhvillimin e bujqësisë”, ka shkruar Haskuka në Facebook, përcjell Telegrafi.

I pari i Prizrenit ka thënë se ka krijuar komisione të cilat do të vlerësojnë dëmet që janë shkaktuar në bujqësi.

“Për këtë arsye me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural menjëherë kemi krijuar komisione të përbashkëta për të evidentuar dhe vlerësuar këto dëme në bujqësi, në mënyrë që më pas të bëhet edhe kompensimi i tyre. Gjithashtu edhe me Drejtorinë për Emergjencë dhe Siguri, do të bëjmë analizën e terrenit për mundësinë e intervenimeve në shtratin e lumit dhe në infrastrukturë, në mënyrë që mos të përsëritet më kjo gjendje nga fatkeqësitë e tilla natyrore”./Telegrafi/

Exit mobile version