Trajneri me prejardhje nga Kosova, Besnik Hasi, ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve serbë rreth komenteve të bëra nga ai javën e kaluar, kur tha se vjen nga “Kosova e Shqipërisë”.
Hasi momentalisht është trajneri i gjigantit grek, Olympicosit, ndërsa nesër (e martë) skuadra e tij do të ndeshet me serbët e Partizanit të Beogradit.
Këto dy skuadra ballkanike do të ndeshen nesër në Beograd mes vete në ndeshjen e parë gjysmëfinale para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Sot (e hënë) është mbajtur konferenca për shtyp para ndeshjes, ku gazetarët serbë kanë pyetur Hasin rreth deklaratave të tij të bëra javën e kaluar se ai vjen nga ‘Kosova e Shqipërisë’, por trajneri kosovar refuzon të flas për atë temë duke ua kthyer me maturi.
“Këtu kemi ardhur të flasim për futboll dhe të mbesim në këtë temë. Për ato gjëra le të flasin ata për çka paguhen”, iu ka thënë Hasi gazetarëve serb, përcjell Telegrafi.
Hasi më pas ka folur edhe për ndeshjen e nesërme, ku ka theksuar se ka disa futbollistë të lënduar, por janë gati për këtë takim.
“Kemi lojtar të lënduar, por kemi një super ekip. Kam luajtur një herë këtu, e di çfarë atmosfere më pret. Jemi të përgatitu për këtë”, përfundoi trajneri nga Gjakova. /Telegrafi/