Një rrëfim që qarkullon nëpër kryeqytet flet për udhëheqësin që ka shkuar në kodër dhe ka thënë: “nuk mundem ma”. “Mundesh, mundesh”, ka folë kodra, “duhet të kryesh atë që ke marrë përsipër kur ta dhamë pushtetin”. Nëse mendoni se është fjala për një rrëfim biblik, dijeni se është veç një supozim i gabuar. Është fjala për Kosovën dhe kodra paraqet simbolikisht dhe faktikisht olimpin politik të saj. Kush shkoi te kush? Pse, aq vështirë është t’ia qëllojmë?
Një i ri, i mbushur frymë, po dështonte për të satën herë më kot të shqiptonte emrin e kryeministrit tonë, tashmë të famshëm në gjithë globin për aftësinë e tij me e injoruar dhe manipuluar vullnetin e qytetarëve të këtij vendi. Çuni pasi u shfry disa herë ‘ha-ha-ha’, mezi e shqiptoi emrin e plotë të kryeministrit, i cili siç po duket krejt qartë, ka hapur më shumë probleme se sa që do të mundet me i mbyllë, qoftë edhe me ndihmën e “bab’s” së madh, të cilit edhe ashtu në fund të verës pritet t’i skadojë mandati.
Karvani i oligarkëve po ecë përlotë arrogancë nëpër shkretëtirën e quajtur Kosovë, produkt i një qeverisjeje të paskrupullt dhe përfituese. Kazani social është para shpërthimit, edhe përkundër lojërave me paga dhe veçanërisht lojërave me sindikatat vasale.
Protesta e nënave
Nuk ke si të durosh pa tu mbushur sytë me lot duke kaluar pranë fotografive gati krejtësisht të shlyera të personave të zhdukur të cilat tashmë 12 vite varen në gardhin e metaltë të parlamentit, e njëkohësisht edhe në ndërgjegjen e pushtetarëve të cilët fare pak deshën apo arritën të bëjnë për të zbritur ato fotografi, dinjitetshëm nga grilat e metalta. Një çift i ri ishin lëshuar në gjunjë e po shikonin një fotografi në fund të rreshtit dhe po gëlltisnin lotët, për arsyen që mund të merret me mend.
Protesta e ish-luftëtarëve
Veç pak hapa më tutje një pamje sa e rëndë po ashtu aq edhe e pakuptueshme. Një grup i luftëtarëve ka filluar tash disa javë një grevë urie, duke ngritur kampin e tyre në mes përmendores së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe një godine e cila vështirë se mund të ia marrë shkëlqimin asaj, përkundër xhamave me të cilët është mbështjellë. Kjo ndërtesë, po thoshte një qytetarë, që në fillim është projektuar mbrapsht dhe nuk i ka ecur mbarë asnjëherë.
Edhe dymbëdhjetë vjet pas lufte, në kohën kur drejtori politik i ushtrisë së tyre, tash ushtron mandatin e dytë në njërin nga katet e kësaj godine të qelqtë, duke mbajtur me duart që i dridhen frenjat e një eshaloni të pafund të trojkave politike, ende nuk është arritur asnjë kompromis politik, për nxjerrjen e një ligji për luftën për çlirim dhe luftëtarët, luftë e cila e shkretoi këtë vend dhe i la shumë të vrarë, invalid, e pse jo edhe raste sociale.
Njerëz të veshur pjesërisht me uniforma kamuflazhi, e pjesërisht me një rrobë të varfër, po qëndrojnë në grevë përballë indiferencës së përgjithshme qeveritare dhe ish komandantëve të tyre.
Protesta e deputetëve të VV dhe qytetarëve
Ditën kur po e shkruaj këtë shkrim, në sheshin përballë teatrit Kombëtarë dhe ndërtesës së mbrapshtë të qeverisë së Kosovës u mbajt edhe një protestë kundër hajnisë, siç u shprehën organizatorët e lëvizjes Vetëvendosje. Derisa retorika e protestuesve, (të cilët sipas policisë ishin 1500, e sipas organizatorëve rreth dhjetë mijë) përdorte shprehje krejtësisht popullore nga frika se nuk po kuptohen se çka janë duke thënë, njëri nga zv.Kryeministrat e shumtë sikur tha se kot flisni kur nuk arrini të na e dëshmoni. Dërgoni faktet në gjykata, po thoshte ai. Protestuesit definitivisht nuk duket se planifikojnë që teatrin politik verorë me e bartë në gjykatat, të cilat konsiderohen si pjesa më e korruptuar e sistemit.
Kompanitë publike si plaçkë e oligarkëve
Edhe analfabetët e kanë kuptuar interesin gruporë (ndërkombëtarë/vendorë) për privatizimin e shpejtuar të krejt çka ka vlerë nga asetet e kësaj shoqërie të varfër, më të varfrës në Evropë. Mund të kuptohet disi se shiten objektet dhe kapacitetet që janë jashtë funksionimit apo operojnë me humbje, por pakkush nga ekspertët dhe qytetarët e këtij vendi po e kupton pse të shiten me gjysmë çmimi (lexo: falen) ato që gjenerojnë të hyra të rëndësishme për buxhetin e vendit.
Krijimi i krizave bëhet me plan, për ta bërë të detyrueshme shitjen e tyre (kujto aprovimin e buxhetit dhe modelin e shitjes së PTK) zbulon korrupsionin në nivele strategjike të vendimmarrjes në Kosovë, vendore dhe ndërkombëtare. Në fakt, vendimmarrja vendore falë një qeverisje kukull, është shndërruar veç në një transmision i interesave më të gjera korporative në vorbullën e të cilave po përpëlitet ky vend i vogël i cili ende nuk i ka marrë këmbët.
Krejt procesi i privatizimit, tërësisht i korruptuar, si çdokund në vendet post-socialiste ka rrjedhë me grabitje të mëdha, por në Kosovë kjo po tronditë themelet e shtetit dhe shoqërisë, sepse ekonomia e saj është shumë afër zero-s.
Protestat e besimtarëve islam
Në sheshin tjetër, vetëm pak ditë përpara një grup besimtarësh myslimanë, të indinjuar me mungesën e një xhamie të madhe në qendër të qytetit, në shenjë proteste e bënë faljen e tyre në sheshin ku qëndron përmendorja “Vëllazërim Bashkim”, e vendosur nga nomenklatura komuniste e dikurshme. Veshja e tyre e veçantë, dukja, dhe aktivitetet e mëhershme u shikuan me shqetësim nga opinioni. Me shqetësim të tillë ishin pa edhe protestat e mëhershme agresive në qendër të kryeqytetit, të cilat për nga stili dhe ngjyrosja më tepër ngjanin me një protestë në qendër të Kajros se sa në qendër të Prishtinës.
Se si mund të devijojë kompromisi joparimorë social, i cili po bëhet përditë në këtë vend, mund të shihet nga shumë raste të cilat viteve të fundit implikuan kosovarë në veprime anticivilizuese kundër interesave të orientimit strategjik të vendit kah civilizimi perëndimorë. Koalicionet joparimore, për shkak të numrave politik me të cilin rast u nënshkruan marrëveshje që prekin themelet sekulare të shoqërisë dhe shtetit, e zbulojnë mungesën e plotë të vizionit të kësaj qeverisjeje ad hoc çka po grumbullon aq shumë probleme të cilat një ditë do të shpërthejnë me fuqinë, e cila vështirë do të jetë e kontrollueshme.
Sindikatat e manipuluara
Pensionistët, punonjësit e organizuar në sindikata përplot ankesa po ballafaqohen me intrigat e të infiltruarve nga strukturat joinstitucionale në funksion të partisë në pushtet dhe grupit të oligarkëve. E paaftë të organizoj shërbimet publike, qeveria ka vendosur të shes çdo gjë që mund të shitet. Shoqëria civile e cila po zbulonte marren e kësaj loje, u shpartallua dhimbshëm, duke u tërhequr në një politikë konfuze apo nëpër kabinete si këshilltarë të pushtetarëve pa pushtet.
Ndërkohë, kushdo që ka arritur të bëjë tubë disa qindra euro, ka ikur ose po përgatitet të ikë përmes Kalimashit në bregun e gjatë të detit shqiptarë dhe të harrojë sadopak krejt këtë dergjë sociale dhe politike të kapur për shtatin e brishtë të shtetit më të ri në planetin e vogël të quajtur Tokë.
Pushtetarët dhe oligarkët përplot para do të ikin në hotele All inclusive me pishina të gjera dhe toboganë, larg syve të votuesve të vet ku do të vazhdojnë lojën e tyre fëmijërore, të cilën nuk e kishin pasë nën okupim dhe nën varfërinë e para pak viteve. Dorën në zemër atje nuk ka ndonjë det për të qenë, por fundja një politikë pa krip edhe ashtu duket se flladitet nëpër pishina me ujë të ëmbël.
Lodhja e përgjithshme
Janë lodhur pozita edhe opozita. E sidomos populli. Klasa e re politike e cila shpresohej të përhapte frymën e re, u rrokullis ende tatëpjetës kosovare ende pa i marrë këmbët. Simbolet e kësaj lëvizjeje shpresëdhënëse u shkapërderdhën bashkë me doktoratat e tyre ndërkombëtare nëpër subjektet ekzistuese, apo nëpër institucione formale të pushtetit pa pushtet.
Një rrëfim që qarkullon nëpër kryeqytet flet për udhëheqësin që ka shkuar në kodër dhe ka thënë: “nuk mundem ma”. “Mundesh, mundesh”, ka folur kodra, “duhet të kryesh atë që ke marrë përsipër kur ta dhamë pushtetin”. Nëse mendoni se është fjala për një rrëfim biblik, dijeni se është veç një supozim i gabuar. Është fjala për Kosovën dhe kodra paraqet simbolikisht dhe faktikisht olimpin politik të sajë. Kush shkoi te kush? Pse, aq vështirë është t’ia qëllojmë?