Site icon Telegrafi

Hashim Thaçi – President, Isa Mustafa – Kryeministër

Hashim Thaçi – President, ndërsa Isa Mustafa – Kryeministër. Kjo është dukja e pozitave në skenën e ardhshme politike në vend. Ajo që e shoh, gjykuar sipas veprimeve të vazhdueshme të kreut të LDK-së, është prodhimi i këtij rezultati që për bazë do të ketë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Natyrisht, jo pa u përjashtuar edhe aspekti teknik i vjedhjes së votës.

Kjo marrëveshje e ka bazën në arritjen e pajtimit për përzgjedhjen e Atifete Jahjaga për Presidente të Kosovës. Pra, pozita e Presidentes, që i mundësoi Qeverisë së Kryeministrit të PDK-së, Hashim Thaçi, edhe dy vjet jetë, është kompromis që ky do të lëviz në postin e Presidentit ndërsa që Isa Mustafa do të vendosej në postin e Kryeministrit. Po e përsërisë, baza e kësaj marrëveshje natyrshëm kërkohet tek rezultati zgjedhor, i cili vështirë do të kalohet pa i përshtatur votat në çfarëdo mënyre, për të arritur edhe legjitimitetin popullor edhe ligjshmërinë.

Natyrshëm, këto mund të jenë, për tash, spekulime, përderisa ka shumë që ende nuk janë të sigurt se çfarë loje politike po luan kreu i Lidhjes Demokratike e Kosovës kundrejt kreut të Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithëkëtë, ashiqare, janë dy gjëra që e vënë në lëvizje Isa Mustafën: pasioni i tij personal për pushtet dhe grumbullimi i korrupsionit në LDK.

Në këtë mënyrë, Isa Mustafa, i ka të humbura të dyja betejat sepse ai nuk mund të frenojë pasionin që me gjasë i ka rrënjët në familje dhe nuk mund ta luftojë tërë atë korrupsion në LDK, që shtrihet aty me dekada.

Në këtë skenar politik, me vetëdije të plotë nga kreu i LDK-së, e gjitha duket si një lojë bixhozi. Në këso lloj loje, ai, si llogaritar me profesion, llogaritë në ndihmën e bashkë-kolegut mëtanë në partinë tjetër, Hashim Thaçi. Kjo i bie disi sikur kur luan bixhoz dhe, le të themi, i humb nja 500 euro, ndërsa kur humbësi nisë e shqetësohet, atëherë vjen përkrahja nga jashtë duke ia ofruar ato 500 euro. Por, ato para nuk ofrohen aq falas. Humbësi duhet t’ia kthejë “të mirën” mirëbërësit.

Në këtë kuadër politik, Isa Mustafa ia garanton Hashim Thaçit postin e Presidentit. Dhe gjithashtu është më se e sigurt që zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nuk do të mbahen njëkohësisht edhe për Presidentin. Ose, Kuvendi i Kosovës, pra deputetët e LDK-PDK do ta propozojnë dhe bashkërisht do ta zgjedhin Hashim Thaçin President derisa ky do t’ia dorëzojë “çelësat” e Qeverisë Isa Mustafës.

LDK, të themi, edhe nëse eventualisht do të merrte e vetme pushtetin në zgjedhjet e ardhshme, nuk do të mund ta mbante atë më shumë se gjashtë muaj. Natyrisht, jo pa përkrahjen e PDK-së, pra pa kthimin e borxhit. Sepse nuk e di se a përmenda, por së pari Hashim Thaçi i ka borxh Isa Mustafës. Deri diku, është e sigurt që ky borxh është xhokeri në të cilin i bën llogaritë kreu i LDK-së.

Siç mund të vlerësohet lehtë, LDK ka probleme me qëndrueshmërinë partiake për shkak të njerëzve të korruptuar brenda saj dhe, vijimësisht, këta njerëz po e pamundësojnë vendosjen e asaj qëndrueshmërie politike brenda kësaj partie, sado që Isa Mustafa në media paraqitet i heshtur, i matur, i butë dhe tërheqës. Ai e di që nuk po e thotë të vërtetën. Ai po ashtu e di që edhe ne, prapa kamerës, e dimë që ai nuk po e thotë të vërtetën. Nga tash, ai po ashtu e di që ne e dimë që marrëveshja PDK-LDK për Presidenten Jahjaga nuk kishte të bënte me Kosovën. E, sa për të nënvizuar, disa nga ne e dimë që ky është skenari i asaj që quhet Loja e Madhe. Sepse PDK dhe LDK nuk mund të jetojnë pa njëra-tjetrën.

Natyrisht që në këtë mjedis politik, Isa Mustafa, e ka një mundësi tjetër për zgjidhjen e problemeve edhe të LDK-së edhe të Kosovës: të ulet dhe të bisedojë me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Nuk besohet që ky opsion e rrezikon LDK-në të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje. Në të njëjtën kohë, kjo mundësi nuk e çan LDK-në edhe më shumë, por, ndoshta, të korruptuarit aty vetvetiu do të zbrisnin nga autobusi i quajtur LDK. Në fakt, nuk dua të tingëllojë që këtu unë po e qaj hallin e LDK-së më shumë sesa vet Isa Mustafa. Por, duhet të jemi të vëmendshëm që LDK është pjesë e skenës politike tash e sa vjet. Përkundër që ka qenë pjesë e dobët dhe e paorganizuar e shoqërisë së Kosovës, e përqendruar vetëm se si të nxjerrë doktoratura, të botojë libra pa vlerë shkollore, të fus njerëz në punë, të fitojë tenderë, e kështu me radhë. Ndërkohë që qytetarët shpesh kanë humbur të afërmit e tyre për këtë LDK.

Ajo çfarë po tentojë të them është që, pse jo, LDK të reformohet. Të kemi një LDK ku njerëzit e saj nuk do ta shihnin pushtetin si mundësi për t’u pasuruar, ndërkohë që qytetarët të vazhdonin të vriteshin mes vete për asgjë hiq, të kemi një LDK që trajton dhe ofron zgjidhje për problemet e shtetit të Kosovës e jo për shtetin e Dragodanit.

Isa Mustafa duhet t’ia shtrijë dorën Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta shohë si mundësi për ta pastruar partinë e vet nga ndryshku i korrupsionit. Sepse as LDK-ja e Ibrahim Rugovës, as LDK-ja e Nexhat Dacit, as LDK-ja e Fatmir Sejdiut, e as LDK-ja e Isa Mustafës, nuk mundi t’i përballojë ndryshkut të njerëzve të saj të kriminalizuar. “Hamitovitë” janë vetëm njëri nga ilustrimet.

Natyrisht, kjo është diçka që mund të bëhet, por Isa Mustafa, nëse harrova ta përmendi, duhet ta shuaj pasionin e vet personal për pushtet me çfarëdo çmimi.

Exit mobile version