Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i vendosur që çështjen që ai po e avokon tash e sa javë, korrigjimin e kufijve me Serbinë, ta shtrojë në takimin e 7 shtatorit në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pak kohë pasi u takua me Haradinaj dhe aleatët e tij qeveritarë në zyrën e tij, Thaçi doli para mediave për të thënë se është i vendosur ta çojë idenë e tij përpara.
“Edhe zyrtarisht, i pëlqeu dikujt apo jo, unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që ajo pjesë t’i bashkohet Kosovës. Nuk kam ndonjë nostalgji për vijat e shtruara nga famëkeqi Aleksandar Rankoviq. Të gjithë janë të pajtimit që duhet rregulluar vijat me Serbinë. Unë nuk e kam ndonjë kasavet për Serbinë, por vendi ynë duhet të ecë përpara”, tha Thaçi.
“Angazhimi im qind-për-qind është i koordinuar me SHBA, Bashkimin Europian dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Zërat tjerë janë zëra që kërkojnë pështjellim. Qyqarllëku te unë nuk ekziston”, tha Thaçi.
“Vendimin përfundimtar për marrëveshjen Kosovë- Serbi e japin qytetarët e Kosovës me referendum”, tha Thaçi.
Më herët Haradinaj ka kërkuar që çështja e kufijve të Kosovës të mos vihet në diskutim në takimin e 7 shtatorit.