Telegrafi

Hashim Thaçi: Parakalim madhështor dhe historik, dhurata më e mirë për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me anë të rrjeteve sociale duke komentuar parakalimin e ekipit olimpik të Kosovës në ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang 2018.

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore ka filluar nga ora 12:00, ku të gjitha shtetet një nga një kanë kryer defilimin e tyre.

Ekipi olimpik i Kosovës ishte i 71-ti me radhë dhe koha e tij erdhi rreth orës 13:10, aty ku parakaloi me pesë persona, me në krye bajraktarin Albin Tahiri.

Lexo po ashtu Kosova bën parakalimin historik në ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang 2018

Ky parakalim i Kosovës, sipas Presidentit Thaçi ishte madhështor dhe historik, teksa e ka cilësuar edhe si dhuratën më të mirë për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Ekipi olimpik i Kosovës me në krye skitarin Albin Tahiri (Getty Images)

“Parakalim madhështor i ekipit olimpik me Flamurin e Kosovës në Pyeongchang të Koresë së Jugut, para miliona teleshikuesve nga mbarë bota”.

“Kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë, që përfaqësohemi në Lojërat Olimpike Dimërore”.

“Është dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë me medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios. HTH”, ka shkruar Hashim Thaçi në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Lexo po ashtu Ekipi i Kosovës dhe Shqipërisë së bashku para parakalimin historik në ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang 2018

Ndryshe, Kosova do të përfaqësohet me garuesin e vetëm, skiatorin Albin Tahiri.

28-vjeçari ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik.

Tahiri do të garojë në sllallom, sllallom të madh, super sllallom të madh, lëshim të shpejtë dhe kombinim alpik. /Telegrafi/