Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me anë të rrjeteve sociale duke komentuar parakalimin e ekipit olimpik të Kosovës në ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang 2018.
Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore ka filluar nga ora 12:00, ku të gjitha shtetet një nga një kanë kryer defilimin e tyre.
Ekipi olimpik i Kosovës ishte i 71-ti me radhë dhe koha e tij erdhi rreth orës 13:10, aty ku parakaloi me pesë persona, me në krye bajraktarin Albin Tahiri.
Ky parakalim i Kosovës, sipas Presidentit Thaçi ishte madhështor dhe historik, teksa e ka cilësuar edhe si dhuratën më të mirë për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Parakalim madhështor i ekipit olimpik me Flamurin e Kosovës në Pyeongchang të Koresë së Jugut, para miliona teleshikuesve nga mbarë bota”.
“Kjo është hera e parë në historinë e shtetit tonë, që përfaqësohemi në Lojërat Olimpike Dimërore”.
“Është dhurata më e mirë për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë me medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, dy vjet më parë në Olimpiadën e Rios. HTH”, ka shkruar Hashim Thaçi në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Ndryshe, Kosova do të përfaqësohet me garuesin e vetëm, skiatorin Albin Tahiri.
28-vjeçari ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik.
Tahiri do të garojë në sllallom, sllallom të madh, super sllallom të madh, lëshim të shpejtë dhe kombinim alpik. /Telegrafi/