Reperi i njohur shqiptar, Mozzik, është pritur sot në dy takime nga krerë të lartë të shtetit.
Fillimisht ai ka bërë një ndalesë në zyrën presidenciale, ku është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ka qenë vet Mozzik, ai i cili ka publikuar në InstaStory një fotografi gjatë takimit me presidentin, me ç’rast edhe i ka bërë dhuratë albumin e tij më të fundit, “Mozzart”.
“Faleminderit president”, shkroi reperi ferizajas në mbishkrimin e një prej fotografive, ku shihej të kishte pranuar edhe mirënjohje nga i pari i shtetit.
Vetëm pak minuta më vonë, Mozzik duket të ketë bërë ndalesë edhe tek ai që e quan “politikanin idhull të tij”, Kadri Veselin.
Lideri i PDK-së, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, ka marrë gjithashtu dhuratë albumin “Mozzart” të 24-vjeçarit.
Mozzik përndryshe është pa diskutim një prej reperëve më aktivë këtë verë, sukseset e të cilit kanë qenë të shumta me publikimin e projekteve të një pas njëshme.
Javë më parë ai tentoi një vizitë në mbarë qytetet e Kosovë me tentim dhurimin e albumeve me autografe për fansat dhe takimin me ta, mirëpo arriti të bëjë ndalesë në vetëm tri prej komunave, për shkak se Policia e Kosovës ndërpreu aksionin, për shkak të grumbullimit të turmave që është kundër masave preventive për virusin COVID-19. /Telegrafi/