Telegrafi

Hasanpapaj: Nuk ka kush e rrëzon Qeverinë Kurti

Sipas juristit, Bardhyl Hasanpapaj, opozita nuk po bën asnjë fushatë politike për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2, prandaj kjo qeveri sipas tij nuk mund të rrëzohet vetë.

“Kryeministrin Kurti nuk ka kush e rrëzon”, kështu ka deklaruar juristi, Bardhyl Hasanpapaj në lidhje me deklaratat e Shefit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili kishte thënë se Qeveria Kurti 2 pritet të rrëzohet në vjeshtën e vonë.

Hasanpapaj në emisionin “Debat Plus”, për këtë deklaratë ka thënë se ishte interesante  sepse siç thotë ai, Qeveria nuk bie vetë, ndërsa opozita nuk po bën asnjë fushatë politike për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2.

“Opozita mezi nuk po pret të shkojë në pushime,  ashtu kshtu ka qenë në pushime”, ka thënë Hasanpapaj.

Sipas tij, kjo deklaratë e Gashit ka qenë një ide e çastit e pamenduar mirë e jo ndonjë qëndrim zyrtar i tij./Dukagjini/