Site icon Telegrafi

Hasani: Do ta shqyrtojmë pozicionin e Kosovës në CEFTA, jo më në emër të UNMIK-ut

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka raportuar sot para komisionit për Zhvillim Ekonomik ku tha se prioritet i MTI-së është përkrahja e bizneseve dhe ndërmarrjeve për zhvillimin e tyre.

Ai tha se prioritet i Ministrisë është edhe promovimi dhe nxitja e investimeve të huaja dhe nga diaspora. “Përmirësimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve janë edhe ndër prioritetet tjera të MTI dhe programet e reformave. Po ashtu përmirësimi i të bërit biznes në Kosovë. Avancimi i tregut dhe mbrotja e produkteve vendore gjithmonë me përkushtim për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Hasani.

Anëtarja e komisionit nga LDK-ja Hykmete Bajrami tha se projektet e mira që kanë mbetur në gjysmë shpreson që të vazhdohet nga udhëheqja e re.

Ajo kërkoi të dijë se si do të përkrahen bizneset dhe sektori privat. Shqetësim për Bajramin ka qenë edhe themelimi i dy Ministrive të reje, ajo për Diasporë dhe Investime strategjike dhe ajo për Inovacion.

Bajrami ka kërkuar sqarime edhe për projektin për certifikimin e produkteve si dhe për kontrollin e cilësisë së naftës dhe poltikat në këtë drejtim të MTI-së.

Edhe anëtarja e Komisionit Mimoza Kusari-Lila ngriti shqetësimin e formimit të dy Ministrive të reja dhe pakësimi i kompetencave të MTI.

Kusari- Lila ka kërkuar nga ministri Bajrami sqarime për koordinimin e investitorëve të huaj, se a duhet të drejtohen ata tek Ministria e Diasporës apo tek MTI.

Po ashtu ajo ka kërkuar ta dijë cili është qëllimi i MTI-së për marrëdhëniet e Kosovës me CEFTA, sepse sipas saj vitin e ardhshëm Kosova ka të drejtën e kryesimit të saj.

Kusari-Lila ka ngritur edhe çështjen shkëmbimeve tregtare, që sipas saj Kosova nuk ka balancë tregtar.

Ministri Hasani duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këtij Komisioni, theksoi se shumë shpejt do të jetësohet Ligji për Investime Strategjike. “Të gjitha funksionet për investime të huaja mbesin tek KIESA dhe nuk ka bartje të kompetencave tek ministria e Diasporës dhe Inovacionit, pra adresa për investitorë të huaj mbetet Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja KIESA që është në kuadër të MTI-së”, deklaroi Hasani duke sqaruar se kompetencat mbeten të njëjta ashtu siç kanë qenë në KIESA.

Ai ka sqaruar se më 15 të këtij muaj do të aktivizohet laboratori për cilësinë e naftës. Sipas tij, zonat ekonomike ato që kanë qenë në proces janë duke u funksionalizuar.

Sa i përket CEFTA, ai tha se Kosova duhet të paraqitet si shtet në CEFTA jo në emër të UNMK, dhe do të shqyrtojnë pozicionin për tërheqjen nga CEFTA.

Ai tha se me 23 të këtij muaj do të marrin pjesë në një takim zyrtar Serbi dhe do të bëjnë presion për pozicionin e Kosovës në CEFTA

Në këtë raportim Hykmete Bajrami ka kërkuar sqarim për vendimin e importit të miellit dhe ndikimet e saj në çmimin e bukës si dhe pse kjo Ministri nuk mori vendim edhe për grurin. Ajo ka kërkuar garanci për çmimin e bukës në këtë drejtim.

Për vendimin e miellit ministri Hasani tha se kjo ka ardhur shkas i shpëtimit të industrisë së miellit dhe një gjë e tillë lejohet edhe me ligj.

Ai ka përmendur reagimet e Serbisë dhe një deputeti të Kuvendit të Kosovës, që sipas tij, ndoshta dikujt po i prek në xhep vendim për miellin. /Telegrafi/

Exit mobile version