Site icon Telegrafi

Hasani: S’ka më falje

“Do të reagonim edhe më shpejt, por ishim në Shqipëri dhe vetëm pas kthimit mbajtëm mbledhje dhe morëm vendim për dënime që do të thotë se i ulëm notat e gjyqtarëve”, tha kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, i bindur se edhe në vazhdim të garave do të ndëshkohen ata që gabojnë dhe se lëshimet i takojnë të kaluarës.

”Nuk ka më falje, harrojini lëshimet çfarë kanë ndodhur më parë. Nuk ka të privilegjuar, por pavarësisht nga emri, ai që gabon do të ndëshkohet. Unë i njoh pothuajse të gjithë gjyqtarët dhe kam raporte të mira, madje me disa nga ata jam edhe shok i ngushtë, por po ju garantoj se nuk do të ketë lëshime për asnjë. Ne edhe mund të gabojmë, por do të mundohemi që të punojmë dhe t’i respektojmë rregulloret në fuqi. Të gjithë duhet ta kuptojnë se ne dëshirojmë që të ketë më pak gabime, por nëse ato ndodhen, për të gjithë është më mirë të reagohet menjëherë dhe të ndëshkohen, në mënyrë që ato të mos shpeshtohen, pasi çdo reagim i vonshëm është i dëmshëm së pari për vet gjyqtarin e më pas edhe për Komisionin tonë dhe futbollin në përgjithësi”, tha ish gjyqtari më i mirë në vitet e fundit në futbollin kosovar.

Rreth vizitës në Shqipëri, Përparim Hasani tha: “ Me ftesë të Komisionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë së bashku me Ismet Shurdhanin e Adem Çollakajn ishim në Tiranë. Mund të them se kaluam shumë mirë, madje sikur kishim nevojë për një takim të tillë. Në fakt, biseduam rreth bashkëpunimit të mëtutjeshëm të gjyqtarëve të Shqipërisë e Kosovës dhe nikoqirët na bindën se janë të gatshëm të na ndihmojnë në çdo aspekt. Mirëpo, prej tani e tutje vizitat nga të dy anët nuk do të bëhen shkel e shko, apo kur t’i teket dikujt, por gjithnjë të paralajmëruar dhe me ftesa nga të dy palët”, shprehet Hasani. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version