Site icon Telegrafi

Hasani i quan “qyqana” anëtarët e Këshillit Drejtues e “mashtrues” kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës

Në pjesën e dytë të mbledhjes së Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), të enjten, kanë vazhduar përplasjet verbale në mes të kryetarit të OAK-së, Behar Ejupi si dhe kryetarit të Degës Rajonale të Prishtinës, Nasuf Hasani.

Pas pauzës, kryetari i OAK-së, Ejupi e ka paralajmëruar sërish Hasanin se në rast se merret fjala pa leje, mund te ndërpresë mbledhjen në mungesë të kushteve, apo të thërrasë Policinë për shkak se po pengohet procesi.

“Thirre Policinë, në bazë të gjetjeve të raportit të Këshillit Mbikëqyrës ti duhet menjëherë me shku në burg, unë asnjëherë nuk kam falsifiku dokument, nuk kom mashtru avokat, asni centë se kom keqpërdor prej Odës, në këto rrethana t’u kisha lut thirre Policinë”, i është drejtuar Hasani kryetarit të OAK-së Ejupit.

Mirëpo pavarësisht këtyre, mbledhja ka vazhduar duke u trajtuar pika tjera të rendit të ditës ku pas komenteve të dhëna nga anëtarët e Këshillit Drejtues të Odës së avokatëve me 5 vota kundër është refuzuar kërkesa e Nasuf Hasanit për përjashtimin e prokurorit disiplinor Rexhep Veseli.

Lexo po ashtu “Hajn i të parës dorë”, përplasje verbale mes Hasanit dhe Ejupit në mbledhjen e Odës së Avokatëve

Tutje Këshilli Drejtues me pesë vota për, 2 vota kundër dhe një abstenim morri vendim që për katër pozitat: punëtor teknik, shofer, zyrtar administrativ dhe prokuror disiplinor të ngritën paga bazë për dy koeficientë.

Pas kësaj është refuzuar me shumicë votash, me 5 vota kundër, asnjë pro dhe  dy abstenime kundërshtimi për hedhjen e fletë paraqitjes së ushtruar nga Hasani për avokatin Besnik Berisha e lidhur me këtë çështje nuk pati diskutime nga anëtarët e këshillit. Derisa Hasani vendosi të qëndrojë në votim edhe pse ishte parashtrues i këtij kundërshtimi.

Pas kësaj Nasuf Hasani ka liruar sallën duke iu drejtuar Behar Ejupit me fjalët “një mashtrues si ti me i trajtu këto çështje”, ndërsa anëtarëve tjerë të Këshillit me fjalët “me ju ardh turp, jeni ardh këtu si qyqana”.

Ndërkaq mbledhja po vazhdon me trajtimin e pika tjera të rendit të ditës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Exit mobile version