Deputet i PDK-së, Nait Hasani, ka folur në “Interaktiv” të KTV-së për zgjedhjen e Hashim Thaçit president.
Ai ka thënë se Thaçi ka ardhur në krye të shtetit të Kosovës, njëjtë sikur paraardhësit e tij, përveç Jahjagës, transmeton Koha.net.
“Thaçi është model i paraardhësve të tij. Kjo nuk është praktikë e mirë, por ky ka një elektorat të madh dhe tregon një stabilitet në Kosovë”, ka thënë Hasani.
Nait Hasani për inaugurimin e Thaçit ka thënë se bëhet për herë të parë në rastet kur presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Ai nuk përjashtoi rastin e ndryshimit të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit në të ardhmen.
“Inaugurimin në shesh në këtë formë e kemi parë vetëm në republikat presidenciale, kur zgjidhet nga populli. E në rastet kur zgjidhet nga Kuvendi, kjo është hera e parë”, shtoi Hasani.
Ndërsa, në relacion opozitën, ai ka thënë se opozita duhet të ulet domosdoshmërish me presidentin në një tryezë.
“Deklaratat kundër Thaçit janë politike dhe aty nuk ka ‘kurrë’. Ai mund t’i shpall zgjedhjet, dhe për këtë duhet të takohet me partitë dhe ata duhet të diskutojnë”, ka përfunduar Hasani.