Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) pret zhvillime pozitive, pas ndryshimeve në udhëheqësinë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Gjermani Thomas Bach do ta udhëheq në katër vjetët e ardhshëm shtëpinë e sportit botëror duke e zëvendësuar belgun Jackues Rogge, që e drejtoi këtë institucion në dekadën e fundit.
Hasani tregon se është takuar disa herë me kreun e ri të KON-it dhe se Bach është në dijeni për rastin e Kosovës.
“E para, Thomas Bach është njohës i mirë i rrethanave të Kosovës pasi jam takuar shumë herë me të, unë dhe Ministri. Ai i takon një shteti mik të Kosovës, pra Gjermanisë. Është një sportist, një kampion olimpik. Është pjesë e lëvizjes olimpike botërore dhe ishte nënkryetar i KON-it. Në postin e presidentit të KON-it është vendosur një njeri me përvojë, një dashamirës i sportit. Ai e di se kemi qenë të izoluar qe disa vite. Vetëm këtë vit jam takuar tri herë me të. Prandaj, jam i prirur të besoj se zhvillimet do të jenë pozitive sa i përket KOK-ut”, deklaroi Hasani për Express.
Ku i fundit tregon se e ka njoftuar me herët Bachun për rastin e Kosovës, por që nuk ka kërkuar shumë nga ai, pasi nuk ka dashur ta ngarkojë, derisa ai po mundohej ta fitonte postin e kryetarit të KON-it. “Tash që është zgjedhur, do të jemi më direkt në këtë periudhë”, vijoi kreu i KOK-ut.
Me gjithë ndryshimet që janë bërë në strukturën udhëheqëse të KON-it, Hasani me bashkëpunëtorë nuk e kanë ndërmend të nguten. Ata preferojnë t’i përmbahen këshillave që morën nga KON-i, që ta presin momentin e duhur për të aplikuar.
“Ne deri tash ju kemi përmbajtur këshillave që të presim. KON-i shkon më shumë kujdes, duke e pasur parasysh ndërlikueshmërinë e çështjes sonë. Mbledhja e radhës do të jetë kah muaji shkurt i vitit të ardhshëm, para fillimit të Lojërave Olimpike dimërore. Bordi Ekzekutiv vendos që kërkesën për ta pranuar një Komitet Olimpik t’ia përcjell sesionit 126, i cili vendos përfundimisht. Nëse marrim shenja që të aplikojmë për këtë sesion, do ta bëjmë”, vijoi Hasani.
Ai ndër të tjera mendon se triumfi i Majlinda Kelmendit në Botërorin e Rios do të jetë një fakt shtesë që KOK-u duhet të pranohet në KON. Gjithashtu, ai shpreson që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, në mënyrë që sportistët kosovarë të ushtrojnë të qetë, pa e pasur mendjen nëse do të lejohen apo jo të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. /Express/Telegrafi/