Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur takimin e radhës nën kryesinë e kryesuesit Nehat Idrizi. Gjatë këtij takimi është votuar për kryetar të Gjykatës së Apelit dhe për kryetar të Gjykatës së Gjilanit.
“Gjyqtari Hasan Shala, arriti të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovë, kundrejt kundër – kandidates Tonka Berishaj. Gjyqtari nga Peja, do ta udhëheq këtë gjykatë për katër vjetet e ardhshme.
Hasan Shala është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988. Provimin e Jurisprudencës e kreu dy vjet më vonë, pasi mbaroi praktiken profesionale në Gjykatën e Qarkut në Pejë.
Në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë. Një vit më vonë, u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale, po ashtu në Pejë. Pasi ushtroi 5 vjet këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftimin për media.
Po në këtë mbledhje, u votua edhe për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjilanit, por asnjëri nga të katër kandidatët nuk i mori shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit. Andaj, Këshilli mori vendim të përsëritet konkursi për këtë Gjykatë. Deri në zgjedhjen e kryetarit U.D. i kryetarit u emërua zëvendës kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit Afrim Shala.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet./Telegrafi/