Historiani Jahja Drançolli ka publikuar një pjesë të hartës së Ilirikut nga Atllasi i hartografit V. M. Coronelli i botuar në Venedik më 1689.
Sipas Drançollit, aty në plan të parë paraqitet Fushë Kosova (Campo Cassovo), me theks të veçantë fortifikata e rrënuar e Veletinit, “Valetino ruin”, e cila është e vendosur në perëndim të Janjevës.
“Aty afër e shohim edhe kishën romano-katolike të Shën Nikollës (S. Nicolo), kishë kjo e njohur e Janjevës, si dhe fshatrat e afërta, si: Gusteriza dhe Vragolia e banuar nga turqit dhe ‘grekët’ (Vragolia habitata da Turchi e greci), si dhe disa toponime e hidronime të tjera shumë interesante, të cilat i ndeshim edhe në dorëshkrimet e Martin Segon Novobërdasit (shek. XV). Liqeni i Janjevës (Lago di Iagnevo), si dhe disa objekte janë inkuadruar me rastin e kompilimit të hartës së Ilirikut. Këtu duhet përmendur edhe liqenin e Surçinit (Lago di Suarsegno o Suersigno), 35 kilometra në jug nga Prishtina, e cila atëbotë kishte 4,000 shtëpi kryesisht të besimit islam dhe më pak të krishterë të shpërndarë. E veçanta e hartës në fjalë është se Kosova paraqitet sipas apelativit Kasovo (Cassovo), dhe gjendet në kufi me Rashën (Serbinë)…”, shkruan Drançolli.