Telegrafi

Harry dhe Meghan Markle u drejtohen me letër tabloideve britanike: Nuk ka më bashkëpunim

Princi Harry dhe Meghan Markle tashmë kanë filluar zyrtarisht jetën e tyre të re jashtë familjes mbretërore dhe së fundmi ata kanë bërë të ditur se nuk do të merren më me tabloidë.

Çifti u ka dërguar një letër tabloidëve britanikë si: The Sun, Daily Mail dhe Express duke iu thënë se skuadra e tyre e marrëdhënieve me publikun nuk do t’u përgjigjet më kërkesave të tyre, duke theksuar se nuk do kenë më bashkëpunim me ta.

Harry dhe Meghan thonë se ata refuzojnë të ‘ofrojnë veten e tyre si monedhë për një ekonomi të klikimeve dhe shtrembërimeve’.

Princ Harry dhe Meghan Markle (Foto: Chris Jackson/Getty Images)

Të njëjtit Ata po ashtu akuzuan mediat e lartpërmendura se kishin publikuar artikuj të shtrembëruar.

“Ka një kosto të vërtetë njerëzore në këtë mënyrë të bërjes së biznesit dhe ndikon në çdo qoshe të shoqërisë. Duka dhe Dukesha e Sussex-it kanë parë njerëz që njohin, si dhe të huaj, që kanë ndërhyrë në jetët e tyre vetëm sepse thashethemet banale nxisin të ardhurat nga reklamat”, thuhej në letër, sipas BBC.

“Nuk bëhet fjalë për të mbyllur bisedat publike apo për të censuruar raportimet. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë, si dhe të kenë një opinion për Dukën dhe Dukeshën e Sussex-it, të mirë apo të keq. Por s’mund të bazohet në një gënjeshtër”.

Princ Harry dhe Meghan Markle (Foto: Getty Images/Guliver)

Letra ndër tjerash thoshte se çifti do të vazhdojë të punojë me media të tjera dhe ‘gazetarë të rinj, të ardhshëm’ për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet dhe shkaqet për të cilat interesohen.

Çifti i famshëm vitin e kaluar paditi Mail on Sunday, pasi publikoi një letër private që Meghan i kishte dërguar të atit, duke hequr pjesë nga letra e saj. /Telegrafi/