Telegrafi

Harrojeni pavdekësinë, plakja është e pamundur të ndalet

Pothuajse çdo ditë ne dëgjojmë termin anti-plakje, e cila nuk është për t’u habitur pasi tregu vlen rreth 58.5 miliardë dollarë. Sidoqoftë, e gjithë kjo është një përpjekje për të vonuar të pashmangshmen, pohojnë shkencëtarët.

Hulumtimi nga një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve nga 14 vende u bazua në hipotezën e “shkallës së pandryshuar të plakjes”, e cila thotë se speciet kanë një normë relativisht të fiksuar të plakjes në moshën e rritur dhe nuk ka gjasa të ndikohen nga përpjekjet kundër plakjes.

Kërkimi u botua në bazë të “një koleksioni prej 39 grupeve të të dhënave njerëzore dhe jo-njerëzore nga shtatë gjini”, raporton theguardian.

“Rezultatet tona mbështesin hipotezën e një shkalle konstante të plakjes, duke nënkuptuar kufizime biologjike se sa shpejtësia e plakjes njerëzore mund të ngadalësohet”, thanë shkencëtarët.

Kjo në thelb konfirmon se vdekja nuk mund të mashtrohet. Jetëgjatësia mund të zgjatet ndoshta si rezultat i faktorëve më të mirë të mjedisit, por në fund të ditës, të gjithë ne do të plakemi dhe do të vdesim.

“Hulumtimi ynë ka konfirmuar se jetëgjatësia dikur ishte më e shkurtër sepse shumë njerëz vdiqën të rinj. Sidoqoftë, falë përmirësimeve mjekësore, sociale dhe mjedisore, jetëgjatësia është rritur. Më shumë njerëz po jetojnë shumë më gjatë sot, por rruga deri në vdekje në moshë nuk ka ndryshuar. Ky hulumtim ka treguar se edhe përparimet në mjekësi nuk mund të kapërcejnë kufizimet biologjike”, tha Jose Manuel Aburto i Universitetit të Oksfordit.

Ajo që të gjithë mund të bëjmë është të përpiqemi ta shijojmë jetën sa më shumë, dhe realizimi që një ditë gjithçka do të marrë fund duhet t’i motivojë njerëzit të jenë versioni më i mirë i vetvetes, të kujdesen për njerëzit përreth tyre, por edhe të ndaloni të shqetësoheni për shkak të plakjes. /Telegrafi/