Site icon Telegrafi

Harrojeni Carlo Ancelottin, ky njeri do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të nëntë

Real Madrid arriti në finalen e 18-të të Ligës së Kampionëve në histori, ndërsa Carlo Ancelotti u bë trajneri i parë që arriti në gjashtë finale të garës më elitare të futbollit të klubeve, por arritja e mbrëmshme nga një person ishte veçanërisht mbresëlënëse.

Gjegjësisht, trajneri kondicional i Real Madridit, Antonio Pintus do të jetë protagonist i nëntë finale të Ligës së Kampionëve në karrierën e tij.

Ndonëse është në hije dhe pak i njohur për publikun e gjerë, anëtari i shtabit të Los Blancos ka arritur një numër që do të jetë thuajse e pamundur të kalohet në të ardhmen.

Pintus ka lindur në vitin 1962 në Torino dhe ai e filloi karrierën e tij në divizionin e ulët Calcio Settim, pas së cilës kaloi në Juventus dhe me klubin më të madh italian luajti në finale në vitet 1996, 1997 dhe 1998.

Më pas shkoi në Monaco, me të cilin arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2004, për të fituar finalet me Real Madridin në vitet 2016, 2017, 2018 dhe 2022 dhe mbrëmë arriti në finalen e nëntë.

 

Përveç Juventusit dhe Real Madridit, ai ka punuar në Chelsea, Udinese, West Ham, Marseille, Palermo, Sunderland dhe Inter.

Real Madrid dhe Borussia Dortmund do të luajnë në finalen e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, ndërsa takimi është caktuar për 1 qershor në Wembley të Londrës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version