Site icon Telegrafi

Harrohet rasti i dy fëmijëve të mbytur në gropën e Kolovicës

Kanë kaluar dy vjet e gjysmë, që kur në lagjen Kolovica në Prishtinë, kishin humbur jetën dy fëmijë në një gropë të hapur në këtë vend.

Që nga ajo kohë, ani pse janë gjashtë kallëzime penale, përfshirë këtu edhe ndaj zyrtarëve komunalë dhe ndaj një kompanie ndërtimore  nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Madje, babai i tyre kishte paraqitur edhe një shkresë, për përshpejtim të rastit, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Ndërkohë, Avokati i Popullit thotë se një rast i tillë do të duhej të zgjidhej, në një afat kohor prej një vit e gjysmë.

Florenta dhe Florenti, ditën e 23 qershorit, para dy viteve, dolën për herë të fundit nga shtëpia. Ata nuk i kthyen më te prindërit e tyre pasi që u mbytën në një gropë, e cila ishte lënë e hapur.

Duke mos u kthyer më. Që nga ajo kohë, nuk kalon ditë që babai i tyre  Muhamet Mramori, nuk shkon në vendin ku kanë humbur jetën, duke u munduar ta heq mallin për ta.

Para dy vite e gjysmë, vëlla e motër, njëri i moshës 11 e tjetri 13 vjeçare e kishin humbur jetën në mënyrë tragjike në një  gropë të hapur kohë më parë në lagjen Kolovica të Prishtinës. Derisa, për Muhametin dhimbja është ende e freskët, ai i lutet Zotit, që ajo që i ka ndodhur atij të mos i ndodh askujt në botë, shkruan Koovapress.

“Na si prind vallahi po e kemi të vështirë, tash me qit në zemër gjithkush,  kush ka  fëmijë e din, veç mendja me të shku anej është trashtim me të ndodh. Po u dashke me jetu njeri edhe qashtu, po për hetër të këtyre tjerve që jon po duhet njeri mu bo i fortë . Kur po e sheh që kanë shku fëmija edhe jon bo sikur mos me ekzistu kurrë, ajo po na i vështirëson edhe më shumë”, tha Mramori.

Ai ka treguar se ani pse i kishin premtuar mbështetje institucionet shtetërore, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Madje, ai tregon se  janë paraqitur gjashtë kallëzime penale, megjithatë, rasti i fëmijëve të tij, ka mbetur aty ku ka qenë.

Muhameti ka rrëfyer se dhimbjen ia shton edhe më tepër neglizhenca e institucioneve shtetërore.

“Dy fmi shkun, dy vjet e gjysë po bohen, asnjëherë asnjë seancë nuk u mbajt. As nuk më kanë thirr najher me me thon veç të vetëm bile qysh ka ndodh, nuk e di çfarë drejtësie është kjo. Nuk mundet me kon kjo për dikon po zgjedhet mrena dy tre muaj rasti, fëmija e mi dy shkun  i kanë lon si kurgjo, sikur mos me ekzistu fmija kurrë. Nuk është lehtë as për prindërit e as për kërkon. Së paku drejtësia mu vendos. Ma shumë nuk po du, veç le të ketë drejtësi për krejt barabartë”, tha ai.

Mramori druan se fakti që në këtë rast janë të përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë, ky rast është zvarritur tash e sa kohë.

Se ky rast po zvarritet  nga institucionet e vendit, thotë edhe avokati i familjes Mramori, Skender Musa. Madje si i tillë tashmë ka kaluar  në Departamentin e Përgjithshëm.

Sipas tij një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte.

“Mirëpo, vet fakti që kjo lëndë ka shku në Departamentin e Përgjithshëm konsiderojmë se është bërë gabim, për shkak se kjo lëndë është dashur të shkojë ose në Prokurorinë Speciale  të Kosovës ose në  Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Konsiderojmë që është mirë që këtë çështje ta trajtojë Prokuroria Speciale e më së paktu ta trajtojë Departamenti i krimeve të rënda, për shkak se natyrat e këtyre veprave nuk duhet t’u  lejohen Departamentit të Përgjithshëm. Departamentet e Përgjithshme janë të natyrave të lehta dhe zakonisht janë të ngarkuara me shumë kallxime penale të treguara nga qytetarët dhe Policia për veprat rutinore që i kryjnë, të shumtën e herave nga adoleshentët”, tha Musa.

Muhamet Mramori, kishte paraqitur edhe një shkresë për t’u takuar me zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

KosovaPress, ka provuar të marrë një përgjigje nga  zëdhënësi i Prokurorisë  së Shtetit, Ekrem Lutfiu, mirëpo ky i fundit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të redaksisë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë se ky rast  do të duhej të zgjidhej më së shumti për një vit e gjymsë, në të kundërtën është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Afati zakonisht i këtyre  natyrave ose i rasteve të ngjajshme, është një vit, një vit e gjysmë që do të duhej të përfundonin të gjitha shkallët, për me marrë një përgjigje meritore dhe për të gjitha me marrë një kompensim adekuat për shkak se shteti u gjet në shkelje të të drejtave të njeriut. Por, një sistem i tillë ende  nuk është arrit, Kosova vazhdon të jetë e këtillë”, ka thënë ai.

Derisa, institucionet e vendit të fillojnë ta marrin seriozisht këtë rast, lutja e vetme e Muhamet Mramorit, është që të vendoset drejtësia për dy fëmijët e humbur tragjikisht./kp/Telegrafi/

Exit mobile version