Site icon Telegrafi

Harris ‘përplaset’ me prezantuesin në një intervistë të rrallë në rrjetin pro-Trump

Kamala Harris nuk e zhvilloi debatin e saj të dytë me Donald Trumpin – kështu që ajo realizoi një intervistë e vetme në Fox News.

Bëhet e ditur se zëvendëspresidentja u përplas ashpër me prezantuesin kryesor të rrjetit pro-Trump, Bret Baier.

Harris dhe Baier ‘u grindën’ dhe e ndërprenë njëri-tjetrin gjatë bisedës, ndërsa Baier ekspozonte politikat e Harris dhe ajo kundërshtonte pikat e bisedës.

“Më lejoni të përfundoj, ju duhet të më lini të përfundoj”, tha Harris në fillim të intervistës.

Siç raportohet, udhëtimi i zëvendëspresidentes në Fox News tregoi se si ajo po përpiqet të sjellë në mendje pika të reja kthese në një garë pa lider të qartë dhe me shumicën e shteteve të lëkundura në votim.

Vendimi i Trumpit për të refuzuar një debat të dytë me rivalen e tij ka bërë që fushtatës t’i mungojnë momentet e mëdha që mund të ndryshojnë garën.

Zëvendëspresidentja dukej luftarake gjatë intervistës pasi guxoi të hynte në “strofullën e medias konservatore” dhe të fliste për Trumpin i cili kryesisht po shmang intervistat.

Ajo veçoi retorikën e tij ekstreme dhe kërcënimet për të përdorur ushtrinë ndaj “armiqve nga brenda” – në një mënyrë që shikuesit e kanalit e shohin rrallë, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Performanca e saj përforcoi taktikën e re të fushatës për të ngritur alarmin e ri për mandatin e dytë të Trumpit, për të cilin tha se “mendon vetëm për veten”.

“Presidenca ime nuk do të jetë një vazhdim i presidencës së Joe Biden”, deklaroi Harris ndër tjera.

“Ashtu si çdo president i ri që vjen në detyrë, unë do të sjell përvojat e mia të jetës dhe përvojat e mia profesionale dhe ide të reja”, shtoi ajo.

Fox, ndërkohë, mori orë të tëra me përmbajtje pas intervistës për komentuesit.

Analiza pas debatit, për shembull, kapi momente të tilla si ai kur Harris u pyet se sa emigrantë pa dokumente u lejuan të hyjnë në vend.

E teksa rrjeti përshkroi momentet kryesore të intervistës, ai shfaqi një gazetë ku shkruhej “Kamala vazhdon akuzat e saj kundër Trump”.

Bëhet e ditur se Baier e shtyu Harrisin të diskutonte çështje të ndryshme për audiencën, duke përfshirë tragjeditë e grave amerikane të vrara nga emigrantët pa dokumente – për të cilat zëvendëspresidentja shprehu keqardhjen dhe mbështetjen e saj.

Ndryshe, demokratët besojnë se mund të ketë një numër të konsiderueshëm votuesish republikanë, të cilët mund të binden të votojnë për Harrisin muajin e ardhshëm.

Nëse vetëm disa mijëra shikues të Fox ose konservatorë tradicionalë do të ndërronin anët, kjo mund të shtyjë disa shtete të lëkundura në drejtimin e zëvendëspresidentes.

Megjithatë, rreziku për Harris është që shfaqja e saj në intervistën e saj të parë zyrtare në Fox mund të largojë disa nga ata votues.

Ndryshe, kandidatja demokrate ka përforcuar tonin e saj të ashpër kundër Trumpit, duke e cilësuar atë si “gjithnjë e më të paqëndrueshëm”.

Ajo gjithashtu ka ngritur pyetje në lidhje me moshën dhe arsimimin e tij.

Por, në shumë nga paraqitjet e tij të fundit, Trump duket se ka luajtur me pretendimet e Harris.

Të mërkurën, për shembull, ai dyfishoi pretendimet e tij të rreme se emigrantët nga Haiti po hanin mace dhe qen.

Kandidati republikan gjithashtu e shpalli veten “babai i IVF” në përpjekjen e tij të fundit për të distancuar veten nga kaosi në shëndetin riprodhues të grave pasi shumica konservatore e Gjykatës së Lartë, të cilën ai e ndërtoi, përmbysi të drejtën kushtetuese mbarëkombëtare për abort. /Telegrafi/

Exit mobile version