Site icon Telegrafi

Hargreaves: Serbia të marrë masa që Radoiçiqi e të tjerët të sillen para drejtësisë

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje që Serbia të marrë masa për të sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Në një postim në platformën “X”, Hargreaves ka theksuar rëndësinë e vendosjes së drejtësisë për rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë këtij sulmi terrorist.

“Sot bëhet një vit nga vrasja e policit Afrim Bunjaku dhe ngjarjet tronditëse që ndodhën në Banjskë,” ka shkruar ambasadori, duke përgëzuar profesionalizmin e Policisë së Kosovës për veprimet e tyre në rivendosjen e rendit atë ditë.

Ai gjithashtu ka vlerësuar punën e prokurorëve kosovarë për ngritjen e aktakuzave lidhur me rastin.

“I bëj nder profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023 dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre duke ngritur aktakuzë”, ka shtuar Hargreaves.

Ambasadori britanik ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur në kërkesën e saj që autorët e sulmit, përfshirë Milan Radoiçiqin, të përballen me drejtësinë.

“Britania e Madhe vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi, përfshirë Milan Radoiçiq, të kapen dhe të sillen para drejtësisë,” ka theksuar ai, duke bërë thirrje Serbisë që të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar që drejtësia të vihet në vend sa më shpejt të jetë e mundur./Telegrafi/

Exit mobile version