Telegrafi

“Hardh Fest 2016” me plot risi, performon edhe Elita 5

“Për kokërr t’qefit”, është slogani i sivjetmë i festivalit të vjeljes së rrushit që mbahet po në qytetin e rrushit Rahovec.

“Hardh Fest”, këtë vit do të sjellë shumë risi, ku siç edhe u tha nga organizatorët në një rrëfim për KultPlus, ky edicion do të vijë më i fuqishëm se asnjëherë më parë. Përgjatë tri ditëve e dy netëve të gjitha peizazhet vreshtare, rrushin, venën dhe rakinë rahovecianët do ti ndajnë me gjithë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe regjionin me vlerat e larta promovuese.

“Këshilli organizativ është duke punuar intensivisht në detaje dhe finesa rreth “Hardh Fest 2016”, dhe është para finalizimit të aktiviteteve”, tha fillimisht njëri ndër organizatorët e këtij festivali Agron Sokoli, i cili vazhdoi të tregoj për KultPlus, se me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komunës së Rahovecit “Hardh Fest”, këtë vit ka gjetur hapësirë në zgjerimin e aktiviteteve.

““Hardh Fest”, vjen me plot risi sivjet, unë do ti ndajë tri aktivitete me ju ekskluzivisht për KultPlus, siç janë DJ Promo skenat në qytet, Maratona e pijes dhe Karnavali i qytetit. Ndërsa sa i përket artistëve që do të performojnë, këtë vit kemi angazhuar artistë vendor dhe internacional, ku do të kemi DJ nga Suedia, Zvicra, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

Dua të zbuloj vetëm një grup që do të performoj në N’Konak që është skena kryesore, e aj grup është Elita 5”, theksoi Sokoli.

“Hardh Fest”, nis me 2 shtator, ku në hapje do të ketë parakalimin e mekanizmit bujqësor nga qyteti deri në konak, pastaj do të jetë prerja ceremoniale e kalaveshit të rrushit, hapja e panairit të venës dhe rakisë, garat në shtrydhjen e rrushit, fillimi i pjekjes së rakisë dhe plot aktivitete të tjera. Partner i festivalit këtë vit do të jetë edhe StoneCastle, të cilët festojnë 10 vjetorin sivjet.