Ish-ministri Astrit Haraqija, është akuzuar bashkë me Ukë Rugovën për trafikim me emigrantë, falsifikim e vepra tjera për lëshimin e vizave italiane.
Mirëpo, Haraqija ka thënë se Oolicia ka bastisur shtëpinë e Presidentit Rugova, e se pesë orë është kontrolluar në arkivin e Rugovës, transmeton Koha.net.
“Aty ka pasur dokumente të personave familjarë, të stafit të sigurimit dhe rrethit të ngushtë të personave. Pesë orë është kontrolluar arkivi i Presidentit Rugova”, ka thënë Haraqija, duke shtuar se atë nuk e kanë kontrolluar fare në shtëpi.
Haraqija ka thënë se ai vetëm ka mbështetur persona të ndryshëm, kryesisht nga Gjakova, dhe se shumica e tyre janë kthyer në Kosovë. Këtë punë ai thotë se e kanë bërë nga viti 1995.
“Nga 1995 kemi suportuar nga zyra e Presidentit Rugova. Nuk kemi bërë falsifikim të vizave; ato janë të nënshkruara nga ambasadori. 99 për qind janë kthyer në Kosovë, e ndonjë është kthyer më vonë. Një nga rastet ka qenë nga Gjakova: Ka ra në mina një person. Kam ardhur në Zyrën gjermane edhe i kam lutur që t’i shpejtojnë procedurat edhe ai e ka marrë vizën menjëherë”, ka thënë Haraqija.