Site icon Telegrafi

Harambashët serbë gati për Betejën e Kosovës, mungon vetëm sulltan Murati

Nëse drejtuesit politikë aktualë serbë nuk heqin dorë nga Miti për Betejën e Kosovës, ka të ngjarë se, nga lufta e re, shumëkush mund të dalë me kokë nën sqetull, si Millosh Kopiliqi.

Çdo ndryshim i kufijve të tashëm në Ballkan rrezikon 21 vjet angazhim dhe investim për paqe. Vijat e tashme kufitare të pranuara nga shumica dërmuese e popujve te Evropës paraqesin mundësinë e vetme për ruajtjen e një paqe të qëndrueshme. Këto dhe shumë fakte tjera i dinë mirë edhe drejtuesit aktualë serbë, të cilët nuk i dallon asgjë nga pararendësit millosheviqianë, shumica e të cilëve janë në pushtet. Fatkeqësisht nuk mbeti edhe një medium serb, i cili nuk mbolli serish, në një mënyrë a në një tjetër, zjarrin e luftës.

Kështu ndodh sot, e do të ndodhë edhe shumë kohë, derisa dikush të mendoje se asnjë territor toke, askund në botë, nuk ka asnjë vlerë, nëse nuk ka njerëz. Kështu ndodh e do të ndodhë kur ata që sot bartin kokën mbi supe nuk mendojnë për dhembjet e atyre që tashmë kalbën nën dhe, pa kokë. Kështu ndodh e do të ndodhë kur mileti bëhet i verbër e i shurdhër dhe i beson gënjeshtrës së disa gazetarëve serbë. Kështu ndodh e do të ndodhë derisa politika serbe me të gjitha segmentet e saj nuk merr përgjigjën e duhur.

Piromanët e luftës me libreza gazetari

Kështu do të ndodhë përherë kur vrasësit mbajnë pena gazetari. Në Hagë do të duhej të gjykoheshin edhe shumë nga të ashtuquajturit gazetarë serbë, të cilët ishin më vrasës së vrasësit e vërtetë gjatë dhe pas luftërave të fundit në Ballkan. Nëse bashkësia ndërkombëtare ka për qellim vendosjen e paqes në Ballkan, ngjarjet e fundit në Kosovë do të duhej të ishin mësimi i fundit. Gjithçka që po ngjan dhe kush çka po vepron praktikisht këto ditë, po shihet edhe nga diletantet e skajshëm politikë. Tash një javë, mediet serbe, si gjithherë në të kaluarën jo të largët, dolën serish me shkrepëse dhe benzine në dorë, për të djegur atë që ka mbetur nga viti 1999. Mund të dallosh ndonjë gazetar paksa me të njohur që mbeti neutral, por nuk mund të dallosh asnjë medie serbe e cila nuk kurseu asgjë dhe vetëm priti çastin për të filluar zjarrvënien, gjithandej ku nuk ka mbërri zjarri.

Kush nuk mban mend RTS-in dhe propagandën e tij gebelsiane?! Kush nuk e mban mend agjencinë Tanjug?! Gazeta “Politika”, që nga koha e Nikola Pasicit nuk ndërroi asnjëherë qëndrimin politik. Veçernje Novosti u konfirmua edhe një herë për transmetim e lajmeve të pavërteta luftënxitëse. Një gazetë tjetër me emër ‘Pravda”, filiale e “Pravdes” se stepave ruse, vazhdon të mbjellë frikë dhe vdekje në Ballkan. Ajo përditë publikon harta të ndarjeve të reja, duke lansuar qëndrimet e politikanëve dhe harambashëve serbë, që hyjnë ilegalisht në Kosovë. B92,një prej medieve pak më të besueshme dhe më pro-evropiane, shumë shpejt harroi mbi 14.000 të zhdukur në luftërat e fundit dhe kolonat e pafund të refugjatëve pa shtëpi, pjesëtarë të cilësdo etni qofshin ata.

Megjithëse pati përpjekje të disa medieve serbe për ta zhvendosur destabilitetin edhe në pjesë tjera të Kosovës, gjithandej ku ka popullatë serbe, kësaj radhe dezinformatave që u plasuan lidhur me ndonjë incident të trilluar, nuk u besoi askush. Fatkeqësisht, këso përpjekje bëri jo pak edhe B92, por shumë më tepër gazetat Politika dhe Pravda. Nuk u desh shumë kohë që mediet serbe të harrojnë gjithë kasaphanën e para disa vjetëve. Ato, në koordinim të plotë, nga një gënjeshtër e plasuar e një individi, filluan serinë e informacioneve luftënxitëse. Mediet serbe dëshmuan se Beogradi ende nuk është ngopur me krime, Se Serbia ende nuk është ngopur me kolona refugjatësh serbë. Se Serbia harroi obligimin ndërkombëtar për zbulimin e varrezave masive në territorin e saj, ku gjenden mijëra te zhdukur nga lufta e fundit, dhe atë e intereson vetëm toka e djegur. Sa duket, edhe pas njëzet vjetësh lufte dhe krize permanente, as popullata civile e as diplomacia nuk mësoi nga përvoja e hidhur. Sot, kur pretendohet që mediet të jenë të lira dhe fjala qytetare të jetë vendimtare, masat e gjera popullore vazhdojnë të vuajnë pasojat e informimit shkatërrimtar që rrënon edhe vetë idenë për paqe,qetësi e integrime evropiane.

Nëse dikush pretendon të vendosë rend e paqe në Ballkan, atëherë më parë duhet të sigurojë arrestimin dhe dënimin e të gjithë atyre gazetareve luftënxitës, për të cilët ditë më parë, pati filluar njëfarë fushate për evidentimin e tyre, se paku për t’ua shqiptuar një masë dënimi moral, për gjithë ato dhembje që i shkaktuan qytetarëve të pafajshëm. Po të merrej dikush seriozisht me fajin e mediumeve serbe, për gjithë tragjedinë e popujve të Ballkanit, me siguri, paralel me komandantet kriminel serb në Hagë do të duhej të dënoheshin edhe jo pak gazetarë. Për habi, diplomacia aktuale ndërkombëtare dhe vendore nuk po merren fare me atë që po bëjnë mediet serbe. Nuk duhet shumë mund dhe ndonjë analizë profesionale për të bërë një vlerësim se kush po ndez më shumë flakën e luftës në Ballkan.

Harambashët në terren

Serbia flet për integrime ndërsa në terren dërgon piromanë. Serbia kur flet për paqe ajo mendon për luftë. Serbia kur flet për të gjallë, gjithnjë harron viktimat e luftës. Nëse nuk kalërojnë paramilitaret serbë nëpër qytete e fshatra, politika e Beogradit nuk ndihet e gjallë. Kush nuk i pa, paramilitaret Borko e Goran që me megafon në dorë u prinin atyre që ia vunë zjarrin pikës kufitare në Jarinje , si në kohën kur erdhi në Vozhdi në pushtet. Të njëjtat skena që u panë këto ditë në veri të Kosovës, janë parë shumë herë nga miliona njerëz nga të katër anët e botës tash e njëzet vjet.

Derisa tash Tadic thërret për paqe, dhe di të struket sa herë e do nevoja, tellalli i tij ish zëvendësi i Sllobos, Dacic, tash duket të ketë marrë detyrën për luftë të re. Megjithëse u dëgjuan edhe zëra të pakta për vetëpërmbajtje të krimineleve të barrikaduar, të cilët është ditur moti se po mbajnë peng popullatën lokale. Edhe Sllobo në çdo bisedë me diplomatë të huaj kishte gojën plot paqe. Kushdo që sot mban anën e harambashëve të kohës së mesjetës, duhet ta ketë parasysh se ka mundësi që “Sulltan Murati” t’ia mësyjë edhe një herë Kosovës.

Exit mobile version