Po, po, ai, pikërisht z. Tahiri, deputeti i Partisë Socialiste, ish-ministri i Brendshëm i Qeverisë Rama, kanakari i kryeministrit, pas disa peripecish e përpëlitjesh në gjirin e Kuvendit, e Partisë Socialiste, e opinionit mediatik e publik shqiptar, kryesisht në kontekstin tronditës të trafikut të lëndëve narkotike, bëri më në fund harakiri: ai dorëzoi mandatin e tij si deputet.
Pavarësisht arsyeve që e shtynë ta bënte me shumë vonesë këtë vetëflijim ai ilustroi kështu dy të vërteta të pamohueshme: së pari proverbin jo vetëm shqiptar “Më mirë vonë se kurrë” (të cilin e gjejmë edhe në “Fjalorin erotik të gjuhës shqipe”, Botimet EDFA, Tiranë 2010, veçse në trajtën “Më mirë vonë se kurvë”) dhe, së dyti, forcën e karakterit të tij kur bëhet fjalë për sakrifica në emër të atdheut tonë të shtrenjtë socialkapitalist.
Kështu që unë i heq atij kapelën ose, më saktë, të gjitha kapelet që kam – kasketa, bereta, qeleshe, shapka, kapuça, kokore e plot të tjera – për gjestin e tij të lartë që dëshmoi më së miri se ai vuri interesin e përgjithshëm mbi interesin personal: Po, po, kështu është, sepse, për shembull, kur fëmijët shqiptarë të sapongjizur këto ditë, të bëhen në moshë për të kuptuar pas disa vitesh se po rriten të lumtur në gjirin bindshëm bujar të Bashkimit Evropian, prindërit do t’u tregojnë me mallëngjim se si ai, pra, z. Tahiri hoqi dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit vetëm e vetëm që të mos vonohej hapja e bisedimeve për integrimin e plotë të Shqipërisë sonë marijuanisht e kokainisht demokratike në prehrin rreptësisht përkëdhelës të Bashkimit Evropian.
Madje, do të shtonin prindërit në fjalë, ai do të kishte qenë gati, nëse integrimi në fjalë do ta kishte lypur një gjë të tillë, të anëtarësohej jo vetëm në Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës apo në Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, por edhe në Partinë Komuniste të Kim Jong-unit, sidomos pas pranimit nga ky i fundit për t’u takuar e biseduar me Donald Trumpin.
Ndonëse me bindje të orientuara djathtas për arsye sa objektive edhe subjektive, e admiroj vërtet gjestin fisnik të z. Tahiri, pavarësisht se formula “të vësh interesin e përgjithshëm mbi interesin personal” të kujton frikshëm manipulimin mendor të shqiptarëve nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. E admiroj sepse ai po heq kështu këmbën zvarrë, duke i ftuar haptas gjithë ata deputetë të Kuvendit tonë, të cilët, për shkak të bëmave të e tyre të padenja dhe të lidhjeve me botën e krimit, e drogës e të korrupsionit, përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për integrimin në Bashkimin Evropian, që të ndjekin me entuziazëm shembullin e tij të ndritur e kuptimplotë dhe të dorëhiqen sa më shpejt e masivisht të jetë e mundur nga deputetllëku i tyre i neveritshëm.
Në trajtë paranteze, dua t’u kujtoj veçanërisht atyre që, brenda e jashtë vendit, e kanë sulmuar z. Tahiri, duke e paraqitur si delja e zezë apo si dhia e zgjebosur e kopesë së politikanëve shqiptarë, se shprehja “të bësh harakiri” në kuptimin e mirëfilltë na vjen nga Japonia ku, prej shekullit X deri në fund të shekullit XIX, samurajët, pra luftëtarët feudalë, praktikonin vetëvrasjen e nderit duke e çarë barkun e tyre me shpatë.
Prandaj, z. Tahiri veproi më së miri duke bërë harakiri pa luajtur nga fiqiri dhe me këtë veprim i tregoi mbarë botës se nuk i trembej asaj që politologët e quajnë “raison d’Etat” (në frëngjishte “arsye shtetërore”) dhe që është tipike për diktatorët e të gjitha vendeve e të të gjitha kohëve. Mirëpo ja që, detyrimisht, lindin disa pyetje të sikletshme: Po tani, cilit prej baballarëve tanë të kombit do t’i takojë të bëjë harakiri? Me ç’rast? Përsëri në radhët e Partisë Socialiste? Në ç’nivel: deputetësh, ministrash apo…? /Panorama/