Telegrafi

Haradinajn e uron shefi i Gardës Kombëtare të Iowa-s

Ramush Haradinaj ka marrë një letër urimi nga komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit Iowa (ShBA), Gjeneralmajori Timothy E. Orr për marrjen e detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Në letër thuhet:

“Dua t’ju përgëzoj për emërimin tuaj si Kryeministër i zgjedhur i Republikës së Kosovës. Mezi pres për mundësinë që t’ju përgëzoj për këtë personalisht.

Garda Kombëtare e Iowa-s është shumë krenare për partneritetin tonë shtetëror me Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 2011. Kemi shkëmbyer shumë vizita për të përfshirë mundësitë e trajnimit dhe mësimit. Përveç kësaj, qytetarët e Iowa-s janë mjaft të kënaqur me partneritetin shtetëror të shtetit simotër, me Republikën e Kosovës që nga viti 2013. Marrëdhëniet tona janë zhvilluar jashtëzakonisht shumë në këto pak vite dhe shpresojmë të vazhdojmë dhe t’i zgjerojmë mundësitë.

Edhe një herë, urime, dhe ju lutem pranoni përshëndetjet e mia personale”. /Telegrafi/